• петок, 20 февруари 2026

Tre fëmijë humbën jetën në një sulm rus në Harkov, banorët e Zaporozhjes pa rrymë

Tre fëmijë humbën jetën në një sulm rus në Harkov, banorët e Zaporozhjes pa rrymë

Harkov, 11 shkurt 2026 (MIA) - Në një sulm rus me dronë ndaj Bogoduhiv në rajonin e Harkovit humbën jetën tre fëmijë dhe një burrë, ndërsa sulmet ndaj Zaporozhjes shkaktuan zjarre dhe ndërprerje në furnizimin me energji elektrike, njoftuan autoritetet ukrainase.

Shërbimi shtetëror për gjendje të jashtëzakonshme të Ukrainës (DSNS) publikoi në rrjetet sociale se në sulmin me dron rus plotësisht është shkatërruar një shtëpi private pas së cilës shpërtheu zjarr i cili u zgjerua në më shumë se 60 metra katror.

"Armiku edhe njëherë me një dronë goditës e sulmoi pjesën private banesore të Bogoduhiv. Është goditur shtëpia e cila është shkatërruar plotësisht", kumtoi DSNS.

Në sulm humbën jetën dy djem të moshës një vjeçare dhe një vajzë dy vjeçare. Shpëtimtarët i tërhoqën trupat e tyre nga rënojat. Jetën e humbi edhe një burrë 34 vjeçar.

Kryeshefi i Administratës rajonale ushtarake të Harkovit, Oleh Sinjegubov, tha se u plagosën edhe dy persona, një grua shtatzënë 35 vjeçare dhe një grua e moshuar 70-të vjeçare.

Ky është sulmi i dytë vdekjeprurës në Bogoduhiv në ditët e fundit. Forcat ruse e goditën qytetin më 9 shkurt, duke vrarë një djalë 10-vjeçar dhe nënën e tij, pasi shtëpia e tyre u shemb.

Dronët rusë goditën gjithashtu Zaporozhjen vonë natën e kaluar, duke shkaktuar një zjarr të madh dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike. Kryeshefi i Administratës Ushtarake Rajonale të Zaporozhjes, Ivan Fedorov, tha se sulmi kishte në shënjestër një strukturë infrastrukturore, duke lënë fillimisht më shumë se 11,000 shfrytëzues pa energji elektrike në dy rajone.

Ai tha se rivendosja e ngrohjes në një rajon mund të kërkojë pak kohë, ndërsa së shpejti pritet rivendosja e plotë e furnizimit me energji elektrike. Deri në mëngjesin e sotëm, më shumë se 2,000 shfrytëzues ishin ende pa energji elektrike.

Fedorov raportoi gjithashtu dëme në një repart spitali në një sulm tjetër me dron gjatë natës, me dritare të thyera, por pa viktima. Në Vilnjansk, rajoni i Zaporozhjes, dronët dëmtuan dhe shkatërruan shtëpi private gjatë natës. Dy gra, të moshës 19 dhe 77 vjeç, u plagosën dhe po marrin kujdes mjekësor.

Sipas të dhënave të aviacionit ushtarak ukrainas, Rusia nga ora 18:30 më 10 shkurt ka lëshuar 129 dronë sulmues, duke përfshirë dronë të llojit Shahed, Gerbera dhe Italmas. Rreth 80 prej tyre ishin dronë Shahed. Mbrojtja kundërajrore ka rrëzuar ose neutralizuar 112 dronë. Megjithatë, 15 dronë sulmues kanë qëlluar tetë lokacione përreth vendit. sa/

Foto: DSNS

Остани поврзан