• петок, 17 април 2026

Trampi urdhëroi pagesë urgjente të 50.000 të punësuarve në sigurimin e aeroporteve amerikane

Trampi urdhëroi pagesë urgjente të 50.000 të punësuarve në sigurimin e aeroporteve amerikane

Uashington, 27 mars 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi ndërmarrjen e masave ekzekutive për të paguar 50.000 punëtorë të aeroporteve, pasi në Kongres u bllokua marrëveshja për zgjidhjen e mungesës së personelit që ka paralizuar trafikun e brendshëm ajror në SHBA.

Trampi njoftoi se ka urdhëruar Ministrinë për Siguri të Atdheut (DHS) "menjëherë t'i paguajtë agjentët e Drejtorisë për Siguri në Transport (TSA)", me qëllim që të zgjidhet gjendja e jashtëzakonshme, dhe siç tha, "menjëherë të ndalet kaosi i shkaktuar nga Demokratët në aeroporte".

"Kjo nuk është e lehtë të bëhet, por unë do ta bëj", tha presidenti.

Aktualisht mbetet e paqartë se sa gjatë do të zgjasë ky financim dhe nëse Trampi do t'i shfrytëzojë mjetet e DHS-së të miratuara vitin e kaluar në kuadër të ligjit të taksave dhe shpenzimeve.

Sipas të dhënave të Ministrisë, pothuajse 500 nëpunës për sigurinë e aeroporteve kanë dhënë dorëheqje që nga fillimi i bllokadës së pjesshme të qeverisë në shkurt. Kontesti në Kongres rreth financimit të këtij resori i detyroi nëpunësit e TSA-së të punojnë pa paga.

Demokratët në Kongres e bllokuan financimin e DHS-së, duke kërkuar ndryshim të rregullave për operacionet e migrimit pas incidentit në Mineapolis, ku agjentë i plagosën shtetasit amerikan Rene Gud dhe Aleks Preti. Nga ana tjetër, republikanët i refuzuan propozimet për financim të veçantë vetëm të TSA-së derisa zgjasin negociatat për reformat në shërbimin e migrimit.

Nga TSA të mërkurën përsëritën se agjencia mund të detyrohet t'i mbyllë aeroportet më të vogla nëse përkeqësohen problemet me kuadrin. Më shumë se 11 për qind e nëpunësve (3.120 agjentë) nuk u paraqitën në punë të mërkurën, ndërsa në aeroportet në Nju-Jork (JFK), Hjuston, Baltimor, Nju-Orleans dhe Atlanta, shkalla e mungesës tejkalon 30 për qind.

Kris Sununu, drejtor ekzekutiv i grupacionit "Airlines for America", ka apeluar në kongres për zgjidhje të shpejtë, duke paralajmëruar se madje edhe gjatë marrëveshjes eventuale në Senat deri më sot, pasagjerët i pret "një fundjavë shumë e vështirë", sepse procesi nuk do të finalizohet menjëherë.

Trampi shtoi se si opsion për ballafaqim me nevojat e sigurisë e shqyrton edhe mundësinë për sistemimin e trupave të Gardës Kombëtare në aeroporte.

TSA aktualisht po merret me rritjen e vëllimit të udhëtimeve gjatë pushimeve të pranverës, i cili është pesë për qind më i lartë se vitin e kaluar. Mungesat e shtuara në ditët e fundit kanë çuar në vonesa me orë të tëra në pikat e kontrollit të sigurisë. Si një lehtësim i përkohshëm, qindra agjentë të imigracionit dhe oficerë të sigurisë kombëtare janë vendosur në 14 aeroporte të SHBA-së që nga e hëna për të ndihmuar me kontrollet e identitetit, logjistikën dhe kontrollin e mbingarkesës. sa/

foto: EPA

Остани поврзан