• сабота, 16 мај 2026

Trampi po e shqyrton propozimin e ri nga Irani

Trampi po e shqyrton propozimin e ri nga Irani

Uashington, 3 maj 2026 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp do ta shqyrtojë planin të cilin e dorëzoi Irani për t’i dhënë fund luftës. 

"Së shpejti do ta shqyrtoj planin që Irani sapo na dërgoi, por nuk mund ta imagjinoj se do të ishte i pranueshëm duke pasur parasysh se ata ende nuk kanë paguar një çmim mjaftueshëm të lartë për atë që i kanë bërë njerëzimit dhe botës gjatë 47 viteve të fundit", shkroi ai në platformën e tij "Truth Social".

Edhe pse është në fuqi një armëpushim i pakufizuar mes palëve, bisedimet për shndërrimin e armëpushimit në marrëveshje të përhershme janë bllokuar për shkak të mospajtimeve të ashpra rreth ambicieve bërthamore të Iranit dhe kontrollit ndaj Ngushticës së Hormuzit. 

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA të premten informoi se Teherani i ka dorëzuar propozim të ri SHBA-së përmes ndërmjetësve në Pakistan.

Transmetuesi shtetëror iranian IRIB informoi se ministri i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, gjithashtu, përmes disa thirrjeve telefonike i ka informuar kolegët në rajon për “nismat e reja në lidhje me përfundimin e luftës”. 

Hollësi për nismën nuk janë zbuluar, transmetoi DPA.

SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulme ndaj Iranit më 28 shkurt. Teherani u përgjigj me kundërsulme ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit, ndërsa gjithashtu në masë të madhe e bllokoi Ngushticën e Hormuzit, e cila është me rëndësi jetike për tregtinë globale. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан