Trampi paralajmëron pauzë në "Projektin Liria", Rubio deklaroi se operacioni "Tërbimi epik" ka përfunduar
- Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se "Projekti Liria" (Project Freedom), iniciativa për të siguruar lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, do të pezullohet "për një periudhë të shkurtër kohore" për të parë nëse mund të finalizohet dhe nënshkruhet një marrëveshje me Iranin.
Uashington, 6 maj 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se "Projekti Liria" (Project Freedom), iniciativa për të siguruar lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, do të pezullohet "për një periudhë të shkurtër kohore" për të parë nëse mund të finalizohet dhe nënshkruhet një marrëveshje me Iranin.
Që nga fillimi i përplasjeve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në fund të shkurtit, Teherani praktikisht e ka ndalur lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit përmes kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa Uashingtoni vendosi një bllokadë detare për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Trampi tha se vendimi është marrë "në bazë të kërkesës së Pakistanit dhe vendeve të tjera, suksesit të madh ushtarak që kemi pasur gjatë fushatës kundër shtetit të Iranit dhe, për më tepër, faktit se është arritur përparim i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit".
Bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së për ta shndërruar armëpushimin aktual në një marrëveshje të përhershme janë në ngërç për shkak të dallimeve të thella rreth ambicieve bërthamore të Iranit dhe kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit. Para konfliktit, përafërsisht një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm që tregtohet në botë kalon nëpër këtë ngushticë.
SHBA-ja të hënën filloi iniciativën për të ndihmuar anijet e bllokuara të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Sipas SHBA-së, Irani është përgjigjur me disa sulme – përfshirë edhe ndaj forcave amerikane që po përpiqeshin të rivendosnin lundrimin tregtar në këtë ngushticë.
Njoftimi i Trampit vjen si një surprizë, raporton DPA. Më herët gjatë ditës së djeshme, edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset dhe sekretari i Shtetit Marko Rubio e promovuan iniciativën e re amerikane para gazetarëve.
Rubio deklaroi se operacioni ushtarak amerikan kundër Iranit, të cilin administrata e Trampit e quajti "Tërbim epik" (Epic Fury), ka përfunduar dhe se Uashingtoni tani po kalon te "Projekti Liria".
Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abas Aragçi i paralajmëroi SHBA-të që të mos e vazhdojnë iniciativën e tyre. Teherani këmbëngul në kërkesën e tij për të kontrolluar trafikun në Ngushticën e Hormuzit. Irani dëshiron që në të ardhmen anijet të paguajnë taksë për kalimin nëpër këtë ngushticë midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit.
Mediat shtetërore iraniane raportuan dje se Teherani planifikon të forcojë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit përmes një sistemi të ri për miratimin e anijeve që kalojnë tranzit nëpër këtë rrugë ujore. Operatorët e anijeve që planifikojnë të kalojnë nëpër ngushticë do të marrin imejl me rregulla dhe udhëzime për tranzitin dhe duhet të marrin leje nga një organ iranian i quajtur "Autoriteti për Gjirin Persik dhe Ngushticën", raportoi televizioni shtetëror Press TV. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë do të përfshijnë këto rregulla apo si do të reagojë Irani ndaj shkeljeve. Press TV raportoi se mekanizmi është tashmë në funksion. qa/
Foto: EPA