Trampi mendon për dërgimin e një "armate" shtesë në Lindjen e Mesme
- Presidenti amerikan Donald Tramp mendon të dërgojë edhe një bartës të aeroplanëve në Lindjen e Mesme në kushte të konfliktit me Iranin, njoftoi mbrëmë portali informativ "Aksios".
Uashington, 11 shkurt 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp mendon të dërgojë edhe një bartës të aeroplanëve në Lindjen e Mesme në kushte të konfliktit me Iranin, njoftoi mbrëmë portali informativ "Aksios".
"Kemi një armatë që po ecën përpara dhe mund të ketë një tjetër", tha Trampi në intervistën për "Aksios", duke shtuar se po "mendon" për dërgimin e një grupi tjetër të bartësve të aeroplanëve.
Nën masa të rrepta të sigurisë, të premten në Oman filluan negociata të reja mes përfaqësuesve të Teheranit dhe Uashingtonit, me ç'rast Omani shërben si ndërmjetësues. Trampi tha se bisedat ishin "shumë të mira" dhe njoftoi negociata të mëtejshme, transmetoi DPA.
Negociatat e reja vijojnë pas protestave masive serioze në Iran, të cilat u shtypën brutalisht nga forcat e sigurisë. Trampi atëherë i kërcënoi autoritetet iraniane me ndërhyrje ushtarake dhe e përforcoi praninë ushtarake amerikane në rajon, duke përfshirë edhe dërgimin e bartësit të aeroplanëve "Ju-Es-Es Abraham Linkoln"(USS Abraham Lincoln).
Tani, megjithatë, flitet për një marrëveshje të re për programin bërthamor kontravers të Iranit. Autoritetet iraniane mbesin skeptik në lidhje me bisedimet me "armikun e tyre të përbetuar" SHBA-në.
Uashingtoni dhe Teherani kanë mbajtur bisedime për programin bërthamor të Iranit edhe vitin e kaluar, por ato u ndërprenë pasi SHBA kërkoi që udhëheqësia iraniane tërësisht ta ndërpresë pasurimin e uraniumit.
Vetëm një ditë para fillimit të raundit të gjashtë të planifikuar të bisedave në qershor të vitit 2025, Izraeli e sulmoi Iranin, që shkaktoi kundërsulme nga Teherani. Më pak se një javë më vonë, ushtria amerikane u përfshi në luftë dhe bombardoi pika kyçe bërthamore në Republikën Islamike. Trampi tha se pikat bërthamore iraniane plotësisht janë shkatërruar në ato sulme.
"Ose do të arrijmë marrëveshje, ose duhet të bëjmë diçka më të ashpër si herën e kaluar", deklaroi Trampi për "Aksios".
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu pritet sot të takohet me Trampin në Uashington për të biseduar për negociatat me Iranin. Trampi duhet ta presë Netanjahun në Shtëpinë e Bardhë në orën 11 sipas kohës lokale, konfirmoi një përfaqësues i lartë qeveritar për DPA.
Izraeli kërkon që çdo marrëveshje e SHBA-së me Iranin t'i përfshijë edhe programet raketore të Republikës Islamike dhe mbështetjen e saj për grupet militante në rajon. Autoritetet në Teheran kohë më parë publikisht i hodhën poshtë kërkesat e tilla. sa/
Foto: MIA arkivi