Toshkovski: Hetimi për 40 tonët e kanabisit të sekuestruar rezulton me kallëzim penal ndaj 10 personave dhe më tej do të zgjerohet
- Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një paraqitje televizive njoftoi se Ministria Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penale në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë ndaj 10 personave, për të cilët ka dyshime të bazuara se janë të lidhur me prodhimin e paligjshëm dhe lëshimin në qarkullim të drogave narkotike sipas nenit 215 të Kodit Penal. Dy nga të dyshuarit janë tashmë në paraburgim 48-orësh, ndërsa hetimi i kryer nga Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë lidhet edhe me drogat e gjetura në Serbinë fqinje, për të cilat ka indikacione se rrjedhin nga kapacitetet prodhuese për të ashtuquajturin kanabisin mjekësor në vend.
Shkup, 20 shkurt 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një paraqitje televizive njoftoi se Ministria Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penale në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë ndaj 10 personave, për të cilët ka dyshime të bazuara se janë të lidhur me prodhimin e paligjshëm dhe lëshimin në qarkullim të drogave narkotike sipas nenit 215 të Kodit Penal. Dy nga të dyshuarit janë tashmë në paraburgim 48-orësh, ndërsa hetimi i kryer nga Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë lidhet edhe me drogat e gjetura në Serbinë fqinje, për të cilat ka indikacione se rrjedhin nga kapacitetet prodhuese për të ashtuquajturin kanabisin mjekësor në vend.
Ministri Toshkovski, në një paraqitje në emisionin "Klik Plus", në TV21 theksoi se kallëzimi penal është rezultat i një hetimi të gjerë dhe aktiviteteve të ndërmarra në periudhën e kaluar.
"Në këtë fazë të hetimit është ngritur kallëzim penal ndaj 10 personave për të cilët kemi dyshim të bazuar se janë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me prodhimin e paligjshëm dhe lëshimin në qarkullim të drogës së prodhuar", theksoi ministri Toshkovski.
Në kuadër të kontrolleve të kryera në kapacitetet prodhuese në të gjithë vendin, u sekuestruan rreth 40 tonë marihuanë, për të cilën komisioni kompetent konstatoi se nuk ishte trajtuar në përputhje me rregulloret ligjore.
"Indikacionet që i kishim për prodhimin e paligjshëm, trajtimin dhe ruajtjen e paligjshme janë treguar të sakta dhe droga e gjetur, për të cilën është konstatuar se nuk është trajtuar në përputhje me ligjin, është sekuestruar", theksoi Toshkovski.
Ministri theksoi se kontrollet treguan se disa nga kompanitë punonin plotësisht ligjërisht dhe profesionalisht, por në disa u përcaktuan paligjshmëri serioze, prandaj u sekuestrua marihuana.
"Shtrohet pyetja se ku do të kishin përfunduar ato 40 tonë drogë nëse nuk do t'i kishim sekuestruar", theksoi Toshkovski.
Lidhur me rastin e sekuestrimit në Serbi, Toshkovski theksoi se ka prova që tregojnë se droga ka hyrë nga Maqedonia dhe se hetimi po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet serbe. Duke vepruar kështu, ai theksoi se pyetja thelbësore është se si një sasi e tillë droge narkotike ka hyrë në territorin e Serbisë, duke marrë parasysh mënyrën e funksionimit të kontrolleve të përbashkëta kufitare.
"Sipas Marrëveshjes që kemi për Sistemin One Stop, ai zbatohet në atë mënyrë që çdo polici kufitare e MPB-së, në kuadër të kontrollit kufitar, mbron hyrjen në Maqedoninë e Veriut, domethënë daljen nga Serbia dhe hyrjen në Maqedoni. Nëpunësit policorë të Maqedonisë janë në këtë pikë të kalimit kufitar dhe këtu kontrollojnë hyrjen në Maqedoni. Nëpunësit policorë të Serbisë kontrollojnë hyrjen në Serbi. Pra, pyetja nuk është se si ka dalë nga Maqedonia, por si ka hyrë në Serbi. Kjo është në fushëveprimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sa i përket kompetencave të institucioneve të tjera, do ta shohim, hetimi do ta tregojë", theksoi Toshkovski.
Paralelisht, Qeveria e ka ngarkuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe komisionit kompetent, në bashkëpunim me MPB-në dhe institucione të tjera, të kryejnë kontrolle në të gjitha objektet e licencuara të prodhimit, me qëllim konstatimin e plotë të situatës aktuale dhe sanksionimin e të gjitha paligjshmërive.
"Duhet të konstatojmë situatën aktuale sa më shpejt që është mundur dhe të ndalojmë situatën kaotike që kemi trashëguar", theksoi ministri Toshkovski dhe shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me kontrolle dhe aktivitete të intensifikuara për të zbardhur të gjitha rastet që lidhen me prodhimin dhe trafikimin e paligjshëm të drogës. qa/
Foto: MPB