• четврток, 19 март 2026

Toshkovski: Forcimi i bashkëpunimit institucional për mbrojtje më efikase nga dhuna me bazë gjinore

Toshkovski: Forcimi i bashkëpunimit institucional për mbrojtje më efikase nga dhuna me bazë gjinore

Shkup, 18 mars 2026 (KMIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot nënshkroi Memorandumin e bashkëpunimit me Aleancën – Këshillin Kombëtar për Barazi Gjinore, i përfaqësuar nga kryetarja Savka Todorovska, me qëllim përmirësimin e sistemit për mbrojtjen e grave nga dhuna me bazë gjinore.

Me memorandumin, siç njoftojnë nga MPB-ja, përcaktohet korniza e veprimit të përbashkët në drejtim të zbatimit të standardeve evropiane, përmes rritjes së ndjeshmërisë dhe kapaciteteve të nëpunësve policorë, përmirësimit të procedurave të veprimit dhe sigurimit të mbrojtjes efikase dhe në kohë për viktimat, me theks të veçantë në parandalimin e riviktimizimit të tyre.

"Prioriteti ynë është të ndërtojmë një sistem që në kohë, në mënyrë efikase dhe me mirëkuptim të plotë do t’u përgjigjet nevojave të viktimave të dhunës me bazë gjinore. Me këtë bashkëpunim investojmë në dije, standarde dhe koordinim – sepse mbrojtja e viktimave nuk është vetëm obligim, por edhe përgjegjësi e përbashkët si institucione dhe si shoqëri", theksoi ministri Toshkovski.

Bashkëpunimi përfshin realizimin e trajnimeve, seminareve, konferencave dhe aktiviteteve të tjera të orientuara drejt forcimit të përgjigjes institucionale, si dhe vendosjen e një qasjeje të koordinuar ndërmjet policisë, institucioneve shëndetësore, qendrave për punë sociale, prokurorisë publike dhe sektorit civil.

Në kuadër të memorandumit, do të punohet edhe për përmirësimin e rregulloreve nënligjore dhe vendosjen e standardeve të unifikuara për veprim në të gjitha fazat e mbrojtjes së viktimave, si dhe për shkëmbim të vazhdueshëm të përvojave dhe praktikave më të mira.

Për më tepër, Ministria do të mbështesë promovimin e linjës kombëtare SOS falas 141 700 për gratë viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, përmes kanaleve të saj të komunikimit. mb/

Foto: MPB

Остани поврзан