• петок, 20 февруари 2026

Tirana nikoqire e takimit ministror për Korridorin 8

Tirana nikoqire e takimit ministror për Korridorin 8

Tiranë, 18 shkurt 2026 (MIA) - Tirana sot është nikoqir i takimit ministror dhe Forumit ekonomik për Korridorin 8-të, një projekt infrastrukturor që lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke u shtrirë deri në Itali dhe Rumani. Korridori 8 i Transportit Panevropian është një komponent kyç i Rrjetit transevropian të transportit (TEN-T).

"Korridori 8 nuk është vetëm një investim. Është një domosdoshmëri strategjike", tha ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali në hapjen e takimit.

Në mbledhjen kryesore marrin pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikolaj Pavllov dhe ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Oktavian Sherban.

“Është kënaqësi t’ju kemi sot këtu, në një takim që nuk lidhet thjesht me një vijë në hartë, por me formën e së ardhmes së rajonit tonë. Korridori VIII është ndërlidhja e munguar lindje–perëndim e Ballkanit Jugor. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi, tregjet me tregjet dhe rajonin tonë me zemrën e Evropës. Dy mijë vjet më parë, Via Egnatia arriti pikërisht këtë: lidhi portet, qytetet dhe njerëzit në të njëjtën hapësirë gjeografike. Sot, nuk po shpikim diçka të re. Ne thjesht po përfundojmë një detyrë që historia e ka përcaktuar tashmë për ne: ta bëjmë këtë pjesë të Evropës realisht të ndërlidhur”, tha Spiropali, raporton ATSH.

Sepse lidhshmëria, shtoi ajo, nuk është vetëm asfalt dhe hekurudha, por lidhshmëria “nënkupton mundësi, qëndrueshmëri dhe në Evropën e sotme, do të thotë siguri”.

“Ne kemi një portofol projektesh prioritare me vlerë mbi dy miliardë euro dhe shumica e tyre janë tashmë të gatshme për zbatim. Në sektorin hekurudhor, linja Durrës–Rrogozhinë po avancon me financim evropian. Punimet inxhinierike për segmentin pasues drejt Pogradecit kanë nisur. Ndërkohë, linja e re hekurudhore që lidh Tiranën me Durrësin dhe aeroportin ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit. Në sektorin rrugor, segmentet kryesore nga porti drejt kufirit lindor janë në ndërtim ose në faza të avancuara përgatitore. Në sektorin e energjisë, interkonjeksioni 400 kilovolt me Maqedoninë e Veriut, që ndjek gjurmën e korridorit, është pranë përfundimit. Pra, porta perëndimore e Korridorit VIII nuk është më një ide. Ajo është një paketë projektesh konkrete në terren, me financim, kontrata dhe afate të përcaktuara”, tha ajo.

Spiropali u ndal edhe në rëndësinë e Korridorit VIII si aset strategjik për ndërveprueshmërinë dhe sigurinë evropiane.

Rrugët, hekurudhat, portet dhe lidhjet energjetike janë asete strategjike. Korridori VIII është i vetmi aks i vërtetë lindje–perëndim në Europën Juglindore. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes vendeve tona, të gjitha anëtare të NATO-s. Kjo i jep këtij korridori një dimension të dytë, shumë praktik. Ai nuk është vetëm një projekt ekonomik dhe integrues, shtoi ajo.

"Ai është edhe një korridor ndërveprueshmërie. Ai mundëson që forcat aleate, pajisjet dhe furnizimet të lëvizin më shpejt dhe në mënyrë më të parashikueshme në rajon, duke forcuar arkitekturën e sigurisë së krahut jugor të Aleancës. Vetëm pak ditë më parë, në Takimin Ministror të Mbrojtjes të NATO-s, u riafirmua rëndësia strategjike e mobilitetit ushtarak në krahun juglindor, duke mundësuar avancimin e përdorimit të dyfishtë të Korridorit VIII përmes financimit të përbashkët të Aleancës. Në këtë kuptim, Korridori VIII kontribuon jo vetëm në tregti dhe rritje ekonomike, por edhe në mbrojtjen kolektive, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin në hapësirën më të gjerë të Detit të Zi dhe Mesdheut”, deklaroi Spiropali.

Takimi ministror “Korridori 8 në momentin strategjik të Evropës: Lidhshmëria, Rezistenca përmes lëvizshmërisë ushtarake dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit” vazhdon me katër panele. Në dy të parat, pjesëmarrësit do të raportojnë mbi vizionin politik për prioritetin evropian për zhvillimin ekonomik dhe Korridorin VIII si katalizator për lidhshmëri të qëndrueshme dhe rritje të gjelbër.

Paneli i dytë i kushtohet dimensionit gjeopolitik të Korridorit 8, ndërsa paneli i fundit do të jetë mbi financimin e këtij Korridori.

Foto: printskrin nga Fejsbuku

 

 

 

 

Остани поврзан