• вторник, 21 април 2026

Televizioni dhe rrjetet sociale burim kryesor për informim dhe ndjekje të përmbajtjeve nga qytetarët

Televizioni dhe rrjetet sociale burim kryesor për informim dhe ndjekje të përmbajtjeve nga qytetarët

Shkup, 31 mars 2026 (MIA) – Një shumicë e konsiderueshme e qytetarëve në vend informohen dhe ndjekin përmbajtje përmes televizionit (72,4%) dhe rrjeteve sociale (69,4%) – tregon hulumtimi mbi opinionin dhe qëndrimet e publikut lidhur me mediat, i realizuar nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale (ASHMAA), që nga 27 dhjetori deri më 25 janar është zbatuar nga “Market Vision” tek 1.200 të anketuar.

Përmbajtjet e “Sitel”, “Kanal 5”, “Alsat M” dhe “Telma” janë në krye të listës së televizioneve më të shikuara ndër qytetarët. Sa i përket radiove, gjysma e të anketuarve kanë deklaruar se nuk dëgjojnë radio, ndërsa tek të tjerët më të dëgjuarat janë “Antena 5”, “Kanal 77” dhe Radioja e Maqedonisë – Programi i Parë.

Ky hulumtim përfshin edhe pyetje që lidhen me ndjekjen e influencuesve dhe ndikimin e tyre te qytetarët. Me përgjigje pohuese se ndjekin përmbajtje të krijuara nga influencues në rrjetet sociale janë përgjigjur 28,5% e të anketuarve, ndërsa në krye të listës është Stefan Llazarov, i ndjekur nga Lila Filipovska. Në regjistrin e ASHMAA deri më tani janë regjistruar vetëm 11 influencues/blogerë apo krijues përmbajtjesh.

Hulumtimi u prezantua në takimin e parë publik të ASHMAA, ku drejtori Zoran Trajçevski informoi për aktivitetet e realizuara sipas Programit Vjetor të punës së Agjencisë.

Sipas hulumtimit, qytetarët më së shumti përdorin televizionin dhe rrjetet sociale, ku një shumicë e konsiderueshme e të anketuarve përdorin çdo ditë televizionin (72,4%) dhe rrjetet sociale (69,4%). Pas tyre renditen mediat onlajn – portalet e internetit, të cilat përdoren çdo ditë nga më shumë se gjysma e të anketuarve. Pjesa më e madhe e të anketuarve kanë deklaruar se nuk përdorin kurrë mediat e shtypura dhe radion.

Gjatë informimit për ngjarjet aktuale, shumica e të anketuarve çdo ditë përdorin rrjetet sociale (62,3%) dhe televizionin (61,2%), duke treguar rolin e tyre dominues si burime kryesore të lajmeve. Portalet onlajn janë burimi i tretë i rëndësishëm me 39,5% të të anketuarve që i përdorin çdo ditë, ndërsa mediat tradicionale si radioja dhe shtypi kanë ndikim të papërfillshëm, pasi mbi 65% e qytetarëve kanë deklaruar se nuk i përdorin kurrë për këtë qëllim.

Pjesa më e madhe e të anketuarve (34,3%) shikojnë televizion nga gjysmë ore deri në dy orë në ditë. Gati çdo i katërti qytetar (24,0%) kalon më shumë se katër orë para ekranit, ndërsa vetëm 0,3% kanë deklaruar se nuk shikojnë fare televizion, gjë që konfirmon shtrirjen e gjerë të këtij mediumi.

Lajmet paraqesin përzgjedhjen më të shpeshtë të publikut, ku 31% e të anketuarve i përmendin si përmbajtje që ndjekin më shpesh. Pas tyre vijnë filmat me 20% dhe serialet televizive me 19%, ndërsa programet sportive renditen të katërtat me 12%. Ndërkohë, debatet, programet kulturore, arsimore, programet për fëmijë, filmat vizatimorë dhe përmbajtjet fetare janë dukshëm më pak të pranishme në prioritetet e shikuesve dhe rrallë paraqiten si përzgjedhje e parë ose e dytë.

“Sitel” është mediumi kryesor për informim me 37,7% të të anketuarve që deklarojnë se ndjekin lajme në këtë kanal. Pas tij vjen “Kanal 5” me 25,7%, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e publikut ndjek “Alsat M” (20,2%) dhe “Telma” (16,6%). Shërbimi publik MRT 1 është burim kryesor për lajme për 6,9% të qytetarëve.

Pothuajse tre të katërtat e të anketuarve (74,2%) mendojnë se lajmet televizive janë të mbushura me përmbajtje negative, ndërsa rreth 60% pajtohen se në lajmet televizive spekulohet me informacione të paverifikuara dhe akuzohen personalitete para se gjykata të vërtetojë fajësinë e tyre.

Drejtori i ASHMAA, Trajçevski, theksoi se në kuadër të punës së Agjencisë në tremujorin e parë janë realizuar kontrollime të rregullta programore dhe administrative ndaj radiodifuzerëve, në pajtueshmëri me planet vjetore për mbikqyrje programore dhe administrative.

Konform detyrimeve të ndryshme ligjore, kontrollime të rregullta programore dhe administrative janë kryer ndaj televizioneve kombëtare Nasha TV, TV 24 Vesti, TV Kompani 21 – M dhe TV Shenja. Me mbikqyrjet e kryera, siç tha Trajçevski, është konstatuar shkelje ligjore te TV Kompani 21 – M, në lidhje me rregullat për mbrojtjen e të miturve, vendosjen e produkteve dhe publikimin e impresumit. Për shkak të përfundimit të vlefshmërisë së licencës, Agjencia ka marrë vendime për fshirjen nga regjistri të TV M, Super Radio dhe TV Sonce.

Mes tjerash, janë kryer tre kontrollime të rregullta administrative ndaj botuesve të mediave të shtypura, lidhur me obligimet e publikimit të impresumit, që përfshinë 16 media. U konstatua se botuesi i “BALKANIUM” nuk e kishte përmbushur plotësisht detyrimin për publikimin e impresumit dhe ndaj tij është shqiptuar masë vërejtjeje publike.

Siç tha Trajçevski, me qëllim të rritjes së transparencës të pronësisë së mediave, në faqen e Agjencisë është vendosur një seksion i veçantë ku janë të disponueshme të dhënat për strukturën pronësore të televizioneve, radiove, mediave të shtypura dhe portaleve onlajn, në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze. Këto të dhëna përfshijnë informata për personat fizik dhe juridik që figurojnë si pronarë, hiset e tyre, si dhe për pronarët përfundimtar, gjgj. personat të cilët kanë hise në subjektet juridike që participojnë në pronësinë e botuesve të mediumeve onlajn.

Janë lëshuar gjithsej 66 certifikata për regjistrimin e paketave programore të operatorëve, pasi u konstatua se aplikimet janë të plota dhe të rregullta.

Në regjistrin e influencuesve/blogerëve/krijuesve janë shtuar edhe gjashtë persona fizik, duke arritur kështu në gjithsej 11 persona të regjistruar.

Agjencia në këtë tremujor ka kryer edhe kontrollime të rregullta administrative ndaj 50 botuesve të 59 portaleve online, ku tek tre prej tyre – “Skopje Info”, “Nistori” dhe “Nacional” – është konstatuar shkelje e ligjit në lidhje me publikimin e impresumit.

Deri më tani, në regjistrin e mediave online të Agjencisë janë regjistruar 50 botues të 60 portaleve të internetit.

Foto: MIA

 

Остани поврзан