• сабота, 21 февруари 2026

Takim i zëvendësministrit Andovski me një delegacion nga Rumania në Ministrinë e Shëndetësisë

Takim i zëvendësministrit Andovski me një delegacion nga Rumania në Ministrinë e Shëndetësisë

Shkup, 6 shkurt 2-26 (MIA) - Zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski sot në Ministrinë e Shëndetësisë pati takim me delegacionin nga Republika e Rumanisë, të kryesuar nga dr. Raed Arafat - sekretar shtetëror për mbrojtjen civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rumanisë.

 "Gjatë takimit u shkëmbyen përvoja mes dy vendeve, veçanërisht në lidhje me përballimin e ngjarjeve me viktima masive, si dhe përvojat e Rumanisë në transformimin e shërbimeve të ndihmës së shpejtë mjekësore dhe qendrave urgjente në spitalet rumune. Zëvendësministri Andovski, në fjalën e tij, shprehu mirënjohje për mbështetjen e sinqertë dhe të pakursyer të Rumanisë në përballimin e pasojave të zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, duke theksuar veçanërisht kontributin personal të dr. Arafat në dërgimin e avionit special rumun për transportimin e të lënduarve drejt qendrave mjekësore evropiane", theksohet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

 Në takim u konfirmua edhe një herë bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet institucioneve të dy shteteve, si dhe u riafirmua angazhimi për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e shërbimeve urgjente dhe ndihmës së shpejtë mjekësore.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан