Takim Dimovska- Zomer: Mbështetje për reformat dhe digjitalizimin e Kuvendit
- Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, realizoi takim me ambasadorin e Konfederatës zvicerane, Kristof Zomer. Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi i deritanishëm, reflektimi mbi aktivitetet, si dhe planet dhe prioritetet e Kuvendit për reforma.
Shkup, 25 shkurt 2026 (MIA)- Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, realizoi takim me ambasadorin e Konfederatës zvicerane, Kristof Zomer. Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi i deritanishëm, reflektimi mbi aktivitetet, si dhe planet dhe prioritetet e Kuvendit për reforma.

Sekretarja e përgjithshme u ndal te planet dhe prioritetet e Kuvendit për reforma, të cilat zbatohen nëpërmjet Shërbimit të Kuvendit, me theks të veçantë në Strategjinë e miratuar për Digjitalizimin e Kuvendit 2026–2028, Planin aksional për avancimin e barazisë ndërmjet grave dhe burrave 2025–2027, Kodin etik për shërbimin, si dhe E-regjistrin, nëpërmjet të cilit regjistrohen organizatat qytetare me të dhënat dhe fushat e tyre të interesit, duke u mundësuar trupave punues t’i ftojnë drejtpërdrejt në seancat e tyre.
Në përputhje me Analizën funksionale, nëpërmjet së cilës u identifikuan sfidat kryesore nga aspekti organizativ dhe funksional në punën e përditshme të Kuvendit, u formuan njësi të reja, Njësia për vlerësimin e ndikimit të rregullativës dhe Njësia për planifikim strategjik, me qëllim të përgatitjes në kohë të planit strategjik të Kuvendit, të planifikimit të prioriteteve strategjike dhe vlerësimit të tyre fiskal.
Dimovska e theksoi gjithashtu punën e suksesshme dhe arritjet e shërbimit në Institutin Parlamentar, Kanali televiziv i Kuvendit, si dhe trajnimet për përforcimin e kapaciteteve të shërbimit dhe avancimin akademik, të mbështetura nga Konfederata zvicerane nëpërmjet NDI-së.

Zomer shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e deritanishëm me Kuvendin dhe i uroi udhëheqjes për proceset e nisura dhe në vijim, të cilat do të zhvillohen dhe avancohen më tej nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta të palëve të përfshira. Ai e theksoi rolin e rëndësishëm të Shërbimit të Kuvendit në sigurimin e konsensusit ndërpartiak, veçanërisht për zgjidhjet ligjore me rëndësi për rrugën eurointegruese të shtetit.
Foto: Kuvend