Stub: Është koha për të filluar dialogun me Rusinë, por në koordinim me aleatët evropian
- Është koha për të filluar dialogun me Rusinë - deklaroi presidenti i Finlandës Aleksandar Stub në një intervistë për gazetën italiane "Koriere dela sera", por shtoi se nuk e di saktë kur mund të ndodhë kjo.
Helsinki, 11 maj 2026 (MIA) - Është koha për të filluar dialogun me Rusinë - deklaroi presidenti i Finlandës Aleksandar Stub në një intervistë për gazetën italiane "Koriere dela sera", por shtoi se nuk e di saktë kur mund të ndodhë kjo.
Stub tha se me udhëheqësit evropian tashmë është biseduar për atë se kush do të vendosë kontakt me Rusinë.
"Nuk e dimë ende se kush do të jetë", deklaroi presidenti finlandez, duke theksuar se më e rëndësishme se gjithçka është të koordinohet me udhëheqësit evropian, veçanërisht midis grupit E-5 - Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Polonia - së bashku me vendet baltike dhe nordike të cilat kufizohen me Rusinë. Ai shtoi se pastaj do të dihet nëse Bashkimi Evropian do të ketë përfaqësues special ose grup liderësh të cilët do të bisedojnë me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas Stub, ekzistojnë tre skenarë të mundshëm për Ukrainën: armëpushimi i ndjekur me traktat paqësore, kolaps i njërës palë në luftë - "me siguri Rusisë", tha ai - ose angazhimi i drejtpërdrejtë i Evropës nëse politika amerikane ndaj Rusisë dhe ndaj Ukrainës nuk është në pajtim me interesat evropiane.
"Mendoj se zgjidhja paqësore nuk është në tryezën negociatore, të paktën jo këtë vit", shtoi Stub, duke theksuar se në këtë kontekst shihet nevoja që Evropa drejtpërdrejtë të bisedojë me Rusinë.
Duke folur për mundësinë e tërheqjes së plotë të forcave ameirkane nga Evropa, Stub vlerësoi se tensionet duhet të ulen.
"Ushtarët amerikanë nuk janë në Evropë për të na mbrojtur, por për t'i mundësuar Amerikës të jetë një fuqi globale", tha presidenti finlandez. Ai beson se SHBA-ja nuk do të tërhiqet nga kontinenti sepse kanë nevojë për baza të qëndrueshme për të projektuar pushtetin drejt Lindjes së Mesme, Azisë dhe Afrikës. Stub theksoi se nuk është veçanërisht i shqetësuar për tërheqjen e mundshme të 5,000 nga 37,000 ushtarët amerikanë të stacionuar në Gjermani.
Lidhur me pengesën bërthamore evropiane, Stub tha se propozimi francez në atë drejtim është i mirëpritur dhe meriton shqyrtim. Megjithatë, ai shprehu kënaqësi që SHBA-ja po modernizon arsenalin e tij bërthamor, duke paralajmëruar se për herë të parë në gjysmë shekulli bota gjendet në një situatë ku nuk ka një traktat për të kufizuar armët bërthamore.
Duke iu referuar Finlandës, ai tha se modeli finlandez i mbrojtjes, i cili përfshin shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe shpenzime të larta për mbrojtjen, nuk mund të kopjohet automatikisht diku tjetër.
Duke folur për marrëdhëniet me presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, Stub tha se kontakti i tyre filloi për shkak të golfit, por theksoi se është gabim të mendohet se ai ka ndikim mbi Trampin. Lidhur me Iranin, Stub vlerësoi se reagimi evropian rrjedh nga dështimi i Trampit për t'u konsultuar me aleatët para sulmit. sa/
foto: EPA arkivi