• сабота, 16 мај 2026

Starmer, Makron dhe Merc i kanë dënuar sulmet iraniane ndaj EBA-së

Starmer, Makron dhe Merc i kanë dënuar sulmet iraniane ndaj EBA-së

Londër, 5 maj 2026 (MIA) - Kryeministri britanik, Kir Starmer mbrëmë dënoi sulmet iraniane me dronë dhe raketa ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai i bëri thirrje Iranit që të angazhohet në diplomaci për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në Lindjen e Mesme, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeministrit britanik.

"Qëndrojmë në solidaritet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe do të vazhdojmë të mbështesim mbrojtjen e partnerëve tanë në Gjirin Persik. Ky përshkallëzim duhet të ndalet. Irani duhet të përfshihet në negociata thelbësore dhe kuptimplota për të garantuar vazhdimin e armëpushimit në Lindjen e Mesme dhe për të arritur një zgjidhje diplomatike afatgjate", deklaroi Starmer.

Presidenti francez Emanuel Makron i cilësoi sulmet iraniane ndaj EBA-së si "të papranueshme".

"Sulmet e sotme iraniane ndaj infrastrukturës civile të Emirateve janë të pajustifikuara dhe të papranueshme", shkroi Makron, mbrëmë vonë në X, duke i siguruar Emirateve të Bashkuara Arabe për mbështetjen e Francës. Ai bëri thirrje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e sigurisë së shteteve në rajon.

Kancelari gjerman Fridrih Merc u bëri thirrje autoriteteve të Iranit që të rikthehen në negociata.

"Teherani duhet të kthehet në tryezën e negociatave dhe të ndalojë mbajtjen peng të rajonit dhe të gjithë botës – bllokada e Ngushticës së Hormuzit duhet të ndërpritet", shkroi Merc në X.

"Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore. Nuk duhet të ketë më shumë kërcënime apo sulme ndaj partnerëve tanë", shtoi ai. "Ashpër i donojmë këto sulme. Solidariteti ynë është me popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe me partnerët tanë në rajon", shkroi gjithashtu Merc. qa/

Остани поврзан