Siljanovska Davkova - Milatoviq: Vizion i përbashkët për rajon të qëndrueshëm dhe prosperues të integruar në BE, nevojitet fokus në bashkëpunimin rajonal
- Vij si mik te miqtë, madje si vëlla për një vend vëllazëror dhe jam mirënjohës për këtë. Dy vendet tona i lidhë miqësia e sinqertë, respekti i ndërsjellë dhe marrëdhëniet tona bilaterale janë një shembull i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë në rajon, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq në konferencën e përbashkët për shtyp në vilën "Vodno" me nikoqiren, presidenten Gordana Siljanovska Davkova.
Shkup, 31 mars 2026 (MIA) - Vij si mik te miqtë, madje si vëlla për një vend vëllazëror dhe jam mirënjohës për këtë. Dy vendet tona i lidhë miqësia e sinqertë, respekti i ndërsjellë dhe marrëdhëniet tona bilaterale janë një shembull i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë në rajon, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq në konferencën e përbashkët për shtyp në vilën "Vodno" me nikoqiren, presidenten Gordana Siljanovska Davkova.
Milatoviqi i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend, theksoi se të dy vendet i lidhë edhe afërsia e thellë historike e konfirmuar nga solidariteti dhe mbështetja e ndërsjellë.
"Po dërgojmë mesazhe të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së fqinjësisë së mirë. E vlerësojmë faktin se Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para që njohu Malin e Zi dhe kjo u bë një bazë e fortë për zhvillimin e marrëdhënieve tona bilaterale dhe diplomatike", theksoi Milatoviqi.
Shefi i shtetit malazez tha se perspektiva evropiane e të dy vendeve zë një vend të veçantë me çka Mali i Zi mbështet fuqishëm rrugën evropiane të vendit.
"Tek ne ky vend do të ketë gjithmonë një aleat dhe mbështetje të plotë. Ne kemi si qëllim të bëhemi shteti i 28-të anëtar i BE-së dhe në këtë mënyrë të tregojmë se perspektiva evropiane e këtij rajoni nuk është vetëm një ëndërr, por realitet", theksoi Milatoviqi.
Presidentja Siljanovska Davkova, nga ana tjetër theksoi se ajo dhe kolegu i saj konfirmuan se janë një shembull i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë rajonale, një shembull i mirë i bashkëpunimit brenda NATO-s dhe takimi i sotëm forcon më tej besimin.
"Ajo që për të dy ishte risi ka qenë nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit midis këshillave rinore dhe pres që ky memorandum të sjellë freski dhe kreativitet në marrëdhëniet tona", tha Siljanovska Davkova.
Ajo theksoi se vizioni i përbashkët është një rajon i qëndrueshëm dhe prosperues i integruar në BE, ndërsa Samiti BE-Ballkani Perëndimor, siç tha ajo i cili do të mbahet në Mal të Zi, është dëshmi se çështja e anëtarësimit të rajonit nuk është vetëm çështje që lidhet me të ardhmen, por çështje që duhet dhe mund të bëhet realitet.
"Integrimi i plotë i të gjithë Ballkanit është i nevojshëm që BE të jetë vërtet një bashkësi që frymëzon dhe është e plotë. Bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm detyrimi ynë, por edhe një e drejtë dhe se mbështetja e ndërsjellë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për mua është imperativ. Nëse nuk respektohemi me njëri-tjetrin, ne vetë e bëjmë më të vështirë rrugën drejt BE-së", theksoi Siljanovska Davkova.
Ajo gjithashtu u pajtua me Milatoviqin se bashkëpunimi ekonomik duhet të rritet, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, turizmit, energjetikës, si dhe rihapjen e linjës ajrore Shkup-Podgoricë ose Shkup-Tivat.
Foto: MIA