Siljanovska Davkova: Me rëndësi është se kush na përfaqëson jashtë., theksin e vendosim tek diplomatët e karrierës
- Presidentja Gordana Siljanovska Davkova lidhur me propozimet për ambasadorë, sot duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se është më mirë në plotësimin e vendeve të zbrazëta të ambasadorëve theksi të vendoset tek diplomatët e karrierës.
Shkup, 19 shkurt 2026 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova lidhur me propozimet për ambasadorë, sot duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se është më mirë në plotësimin e vendeve të zbrazëta të ambasadorëve theksi të vendoset tek diplomatët e karrierës.
"Ligji për punë të jashtme e konstaton procedurën, ajo fillon nga ministri i Punëve të Jashtme, përmes Qeverisë e më pas do të vijë tek unë. Konsideroj se është më mirë në plotësimin e vendeve të zbrazëta të ambasadorëve të fillojmë dhe theksin ta vendosim tek diplomatët e karrierës, dhe për momentin 67 për qind e të propozuarve janë njerëz të karrierës", tha Siljanovska Davkova në deklaratë për mediumet pas shënimit të Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare në Institutin për gjuhë maqedonase "Kërste Misirkov" - Shkup.
Siljanovska Davkova përkujtoi se sipas ligjit nevojitet 50 për qind të jenë diplomatë të karrierës, dhe hfaqi shpresë se në të ardhmen do të arrihet edhe deri 70 për qind e diplomatëve të karrierës.
Presidentja theksoi se ne si shtet e kemi shumë me rëndësi se kush na përfaqëson jashtë dhe e inkurajoi Qeverinë me propozimet e këtilla.
"Prandaj në këto propozime të fundit ka edhe njerëz nga sektori joqeveritar të cilët janë njohës të shkëlqyeshëm të problemeve të cilat duhet t'i prezantojnë jasht[ë", shtoi Siljanovska Davkova.

Paraprakisht sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, tha se mbi 60 për qind e kandidatëve të rinj për ambasadorë janë diplomatë profesionalë nga radhët e të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJdheTJ). Ai konfirmoi se në seancën e fundit të qeverisë ka propozuar disa emra, të cilët do t’i konfirmojë pas marrjes së agremanëve.
Ai shtoi se, për shkak se ky informacion është me karakter të klasifikuar, nuk mund të konfirmojë emrat, por pas marrjes së agremanëve dhe fillimit të procedurave të brendshme në shtet, emrat do të konfirmohen dhe të njejtët do të mbrojnë qëndrimet e tyre para Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvend.
Qeveria në seancën e së martës, siç njoftuan disa media, ka miratuar një listë me nëntë ambasadorë të rinj dhe dy konsuj të përgjithshëm, për në Stokholm, Bukuresht, Prishtinë, Londër, Hagë, Strasburg, Sofje dhe NATO, si dhe konsuj të përgjithshëm në Selanik dhe Melburn.
Për ambasador në Suedi është propozuar Muharem Jusufi, kuadër i MPJdheTJ, ndërsa Orhan Murtezani nga pozicioni i tij si ministër për Çështjet Evropiane shkon si ambasador në selinë e NATO-s në Bruksel.
Ish ambasadori në Ukrainë, Krum Efremov, është propozuar për ambasador në Sofje, në Rumani është propozuar Gabriel Atanasov nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, ndërsa për ambasador në Prishtinë është propozuar Katerina Todorovska.
Linda Salieska Iljazoska nga MPJdheTJ është propozuar për pozicionin e ambasadores në Hagë, ndërsa Ilina Mangova, e cila vjen nga sektori joqeveritar, është propozuar për ambasadore në Londër. Svetlana Geleva është propozuar për një mandat të dytë në Këshillin e Evropës në Strasburg. Në listë përmenden gjithashtu dy emra për konsuj të përgjithshëm – Tomislav Dimitrovski në Selanik dhe Aleksandar Kërstevski në Melburn, të dy nga MPJdheTJ. ab/
Foto: МIА