Shtëpia e Bardhë: Trampi mezi pret bisedimet SHBA-Iran në Oman
- Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kedrolajn Levit, deklaroi mbrëmë se presidenti Donald Tramp mezi pret bisedimet SHBA-Iran në Oman për të përcaktuar nëse është e mundur marrëveshje me Republikën Islamike.
Uashington, 6 shkurt 2026 (MIA) – Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kedrolajn Levit, deklaroi mbrëmë se presidenti Donald Tramp mezi pret bisedimet SHBA-Iran në Oman për të përcaktuar nëse është e mundur marrëveshje me Republikën Islamike.
"Ndërsa po zhvillohen këto bisedime, do t'i kujtoja regjimit iranian se presidenti, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë më të fuqishme në historinë e botës, ka shumë opsione në dispozicion përtej diplomacisë. Diplomacia është gjithmonë opsioni i parë për presidentin kur bëhet fjalë për t'u marrë me vendet anembanë botës, qofshin ato aleatë apo kundërshtarë tanë", ka thënë Levit.
Ajo shtoi se Trampi ka qenë shumë i qartë në kërkesat e tij për Iranin - "aftësi bërthamore zero".
Në kryeqytetin e Omanit në Muskat, zyrtarët iranianë dhe amerikanë do të diskutojnë programin bërthamor të Teheranit, por agjenda e bisedimeve nuk dihet. Irani po përpiqet t'i kufizojë bisedimet vetëm në programin e tij bërthamor dhe sanksionet, ndërsa SHBA dëshiron të diskutojë programin raketor të Teheranit dhe mbështetjen e tij për Hamasin në Rripin e Gazës, Hezbollahun në Liban dhe Huthët në Jemen.
Takimi fillimisht ishte planifikuar të mbahej në Turqi, por u zhvendos në Oman me kërkesë të Iranit. Teherani gjithashtu kërkoi që takimi të mbahet në nivel dypalësh dhe jo siç ishte planifikuar me përfaqësues nga vendet e rajonit.
Në bisedime do të marrin pjesë ministri i Jashtëm iranian Abas Aragçi, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Stiv Uitkov dhe dhëndri i Trampit, Xhared Kushner.
Foto: arkivi i MIA-s