• сабота, 16 мај 2026

Shtëpia e Bardhë: Irani kërkon bisedime direkte me SHBA-në, Kushner dhe Uitkof nisen për në Pakistan

Shtëpia e Bardhë: Irani kërkon bisedime direkte me SHBA-në, Kushner dhe Uitkof nisen për në Pakistan

Uashington, 24 prill 2026 (MIA) – Irani ka kërkuar një takim të ri ballë për ballë me qeverinë amerikane, deklaroi sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit, duke shtuar se të dërguarit specialë të presidentit amerikan Donald Tramp, Xhared Kushner dhe Stiv Uitkof, do të udhëtojnë nesër në Pakistan.

"Iranianët iu drejtuan presidentit dhe kërkuan një bisedë drejtëpërdrejtë. Prandaj presidenti po dërgon Stiv Uitkofin dhe Xhared Kushner për të dëgjuar çfarë kanë për të thënë", deklaroi Livit për "Foks Njuz".

Ajo shtoi se nënpresidenti amerikan Xhej Di Vnes është i gatshëm të udhëtojë në Pakistan nëse Uashingtoni vlerëson se kjo është “përdorim i nevojshëm i kohës së tij”.

"Ditët e fundit kemi parë njëfarë përparimi nga pala iraniane, gjë që e shtyu Donald Trampin të marrë vendimin për të dërguar njerëz për t’i dëgjuar iranianët. Do të shohim çfarë kanë për të thënë", tha Livit.

Ajo theksoi se Uashingtoni shpreson për bisedime produktive që mund të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje, duke shtuar se Tramp gjithmonë dëshiron t’i japë një shans diplomacisë dhe se kjo është opsioni i tij i parë.

Mediat shtetërore iraniane publikuan se edhe ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abas Aragçi do të udhëtojë në Pakistan. 

Përfaqësuesit iranianë njoftuan se Aragçi do të vizitojë gjithashtu Muskatin dhe Moskën. ls/

Foto: Arkiv 

 

 

 

 

Остани поврзан