Shikorski: Putini nuk dëshiron paqe, por kapitullimin e Ukrainës
- Ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslav Shikorski sot në një prezantim për politikën e jashtme polake paralajmëroi se Rusia nuk dëshiron paqe, por kapitullimin e Ukrainës dhe se nuk do të ndalet me kaq, si dhe se rendi ndërkombëtar, i rrënuar nga themelet, dhe turbulencat në botë nuk i lënë Varshavës hapësirë për luksin e pasivitetit.
Varshavë, 26 shkurt 2026 (MIA) - Ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslav Shikorski sot në një prezantim për politikën e jashtme polake paralajmëroi se Rusia nuk dëshiron paqe, por kapitullimin e Ukrainës dhe se nuk do të ndalet me kaq, si dhe se rendi ndërkombëtar, i rrënuar nga themelet, dhe turbulencat në botë nuk i lënë Varshavës hapësirë për luksin e pasivitetit.
"Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për rrezikun. Situata është serioze. Ndërgjegjësimi për rrezikun mund të paralizojë. Nuk mund ta përballojmë luksin e të qëndruarit të paralizuar", u tha Sikorski deputetëve në Sejm, dhomën e ulët të Parlamentit polak.
Ai paralajmëroi se disa aleatë nuk e përjashtojnë skenarin që Rusia të sulmojë NATO-n, siç tha, jo pas dy ose tre vjetësh, por këtë vit.
“Kremlini nuk do të dorëzohet. Do të testojë kufij të mëtejshëm. Putini nuk dëshiron paqe, ai dëshiron vetëm kapitullim”, tha Shikorski, duke kujtuar se Evropa është tashmë shënjestër e sulmeve hibride ruse - sulmeve kibernetike, konkretisht ndaj Polonisë, me nga dy mijë deri në tre mijë në ditë, devijimeve dhe sabotimeve, si dhe përhapjes masive të dezinformatave në internet.
"Qëllimi i armikut është i thjeshtë. Të frikësojë, të shkaktojë përçarje, të nxisë grupe të ndryshme polakësh kundër njëri-tjetrit, të dobësojë besimin te politikanët dhe qeveria. Polakët, nga më i riu tek më i vjetri, duhet të mësojnë se si të përballen me rreziqet e internetit. Është një detyrë patriotike të jesh i vetëdijshëm se kush publikon çfarë dhe për çfarë qëllimi", tha Shikorski.
Ai të gjithë atyre në Poloni që mendojnë se ndihma për Ukrainën nuk po ia vlen, u rekomandoi që të kuptojnë se një Ukrainë e lirë si pjesë e Perëndimit është një shans dhe një mundësi edhe për atdheun e tyre. ls/
Foto: EPA