SHBA-ja dhe Irani nuk arritën marrëveshje paqësore pas 21 orësh negociata në Pakistan
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani nuk arritën marrëveshje paqësore pas negociatave që zgjatën rreth 21 orë në Pakistan, kumtoi zëvendëspresidenti Xhej Di Vens.
Islamabad, 12 prill 2026 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani nuk arritën marrëveshje paqësore pas negociatave që zgjatën rreth 21 orë në Pakistan, kumtoi zëvendëspresidenti Xhej Di Vens.
Sipas tij, delegacioni amerikan po largohet nga bisedimet për shkak të mosmarrëveshjeve themelore, pasi Irani nuk i ka pranuar kushtet e vendosura nga Uashingtoni, përfshirë heqjen dorë nga prodhimi i armëve bërthamore.
"Lajmi i keq është se nuk arritëm marrëveshje dhe mendoj se ky është një lajm shumë më i keq për Iranin sesa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës", deklaroi Vens. "Ne do të kthehemi në SHBA pa marrëveshje. Kemi qenë shumë të qartë në lidhje me vijat tona të kuqe". Ai shtoi se gjatë negociatave ka biseduar gjashtë herë me Presidentin Donald Tramp gjashtë.
Kërkesat e tepërta nga SHBA-ja kanë penguar arritjen e një kuadri dhe marrëveshjeje të përbashkët, raportoi agjencia gjysmëzyrtare informative iraniane Tasnim.
Sipas mediave iraniane, bisedimet në Pakistan përfunduan pa marrëveshje. Takimet në Islamabad ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në më shumë se një dekadë dhe niveli më i lartë i kontaktit që nga Revolucioni Islamik në vitin 1979. Rezultati i tyre konsiderohet kyç për të ardhmen e armëpushimit të brishtë dyjavor dhe për hapjen e mundshme të Ngushticës së Hormuzit – një rrugë përmes së cilës kalojnë rreth 20 për qind e furnizimeve botërore të energjisë dhe që Irani e bllokoi pas fillimit të konfliktit. Lufta ka çuar në rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe mijëra viktima.
Qeveria iraniane, më herët, njoftoi në një postim në “X” se bisedimet kanë përfunduar, ndërsa ekspertë teknikë nga të dyja palët do të shkëmbejnë dokumente. “Negociatat do të vazhdojnë pavarësisht disa dallimeve të mbetura”, theksohet në kumtesën, pa u saktësuar se kur do të rifillojnë.
Sipas një burimi nga ndërmjetësi Pakistani, Vens, i dërguari special Stiv Uitkof dhe Xhared Kushner zhvilluan një takim dyorësh me kryetarin e Parlamentit iranian, Mohammad Bager Kalibaf, dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Abas Aragçi.
Delegacioni iranian mbërriti të premten i veshur me të zeza, në shenjë zie për liderin suprem të ndjerë, ajatollah Ali Hamnei dhe për të vrarët në luftë. Sipas të dhënave të qeverisë iraniane, pjesëmarrësit mbanin këpucë dhe çanta shkollore të nxënësve të vrarë gjatë një sulmi ajror amerikan mbi një shkollë pranë një objekti ushtarak. Pentagon njoftoi se sulmi është duke u hetuar, ndërsa sipas raportimeve mediatike, hetues ushtarakë konsiderojnë se SHBA me shumë gjasa duhet të mbajë përgjegjësi. Një burim pakistanez deklaroi se gjatë bisedimeve pati “ndryshime në atmosferë”, me tensione që rriteshin dhe uleshin në momente të ndryshme. Për shkak të negociatave, Islamabad ishte nën masa të shtuara sigurie, me mijëra ushtarë të vendosur nëpër rrugë.
Ngushtica e Hormuzit është në qendër të mosmarrëveshjes
Paralelisht me negociatat, ushtria amerikane tha se po “përgatit kushtet” për fillimin e operacioneve të pastrimit të minave në Ngushticën e Hormuzit. Sipas SHBA-së, dy anije luftarake amerikane kaluan nëpër ngushticë, ndërsa mediaz shtetërore iraniane e mohuan këtë. Përpara se të fillonin bisedimet, një burim i lartë iranian pretendoi se SHBA-ja ka rënë dakord të lirojë asetet e ngrira iraniane në Katar, por një zyrtar amerikan e mohoi këtë. Agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Fars raportuan se pikërisht mosmarrëveshja për ngushticën ka penguar përparimin, me delegacionin iranian që këmbëngulte në “ruajtjen e arritjeve ushtarake”.
Cilat janë kërkesat kryesore të SHBA-së dhe Iranit?
Një pikë kyçe mosmarrëveshjeje është kontrolli i Ngushticës së Hormuzit. Irani këmbëngul në kontroll dhe vendosjen e tarifave të tranzitit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë lundrim të lirë dhe të sigurt pa tarifa. Uashingtoni gjithashtu kërkon që Irani të dorëzojë më shumë se 400 kilogramë uranium të pasuruar shumë, të pezullojë programin e tij bërthamor dhe të pranojë kufizimet për raketat balistike.
Teherani, nga ana tjetër, kërkon lirimin e aseteve të ngrira, pagesën e dëmshpërblimeve për dëmet e luftës, heqjen e të gjitha sanksioneve, garanc për mossulmim dhe tërheqjen e forcave amerikane nga Lindja e Mesme. ls/
Foto: EPA