SHBA-ja dhe Irani akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit në Ngushticën e Hormuzit
- Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se tre shkatërrues të marinës amerikane u gjendën nën zjarr gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit.
Uashington, 8 maj 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se tre shkatërrues të marinës amerikane u gjendën nën zjarr gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit.
Trump në rrjetin e tij social "Truth Social" tha se shkatërruesit nuk pësuan dëme, por se "u shkaktuan humbje të rënda sulmuesve iranianë".
"Tre shkatërrues amerikanë të klasit botëror sapo kanë kaluar me shumë sukses Ngushticën e Hormuzit, nën zjarr. Nuk pati asnjë dëmtim në tre shkatërruesit, por u shkaktua dëm i madh ndaj sulmuesve iranianë. Ata u shkatërruan plotësisht së bashku me shumë anije të vogla, të cilat përdoren për të zëvendësuar marinën e tyre plotësisht të dobësuar. Këto anije përfunduan në fund të detit, shpejt dhe me efikasitet. Raketa u lëshuan drejt shkatërruesve tanë dhe u rrëzuan lehtësisht. Po ashtu, u dërguan edhe dronë dhe u dogjën në ajër. Ata ranë shumë bukur në oqean, si një flutur që bie në varrin e saj! Një vend normal do t’u kishte lejuar këtyre shkatërruesve të kalonin, por Irani nuk është një vend normal. Ata udhëhiqen nga TË ÇMENDUR dhe, nëse do të kishin mundësi të përdornin armë bërthamore, do ta bënin pa dyshim — Por, ata kurrë nuk do ta kenë atë mundësi dhe, ashtu siç i goditëm përsëri sot, do t’i godasim shumë më fort dhe më dhunshëm në të ardhmen, nëse nuk e nënshkruajnë marrëveshjen e tyre, SHPEJT! Tre shkatërruesit tanë, me ekuipazhet e tyre të mrekullueshme, tani do t’i bashkohen përsëri bllokadës sonë detare, e cila është vërtet një 'mur çeliku'", shkroi presidenti amerikan në rrjetin e tij social.
Më herët, ushtria amerikane njoftoi se kishte sulmuar "objektiva ushtarake iraniane" pasi tre nga mjetet e saj detare u sulmuan gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit drejt Gjirit.
"Forcat amerikane zmbrapsën sulmet iraniane të paprovokuara dhe u përgjigjën me sulme mbrojtëse, ndërsa shkatërruesit me raketa të marinës amerikane kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit drejt Gjirit më 7 maj", njoftoi Komanda Qendrore e Forcave të Armatosura Amerikane (CENTKOM) në rrjetin social Iks.
Komanda Qendrore saktësoi se Irani gjatë sulmeve ka përdorur raketa, dronë dhe anije të vogla. Ushtria amerikane njoftoi se i ka "neutralizuar kërcënimet dhe i sulmoi objektet ushtarake iraniane përgjegjëse për sulmet ndaj forcave amerikane, duke përfshirë objektiva për lëshimin e raketave dhe dronëve, qendra komanduese dhe kontrolluese, si dhe baza të inteligjencës dhe vëzhgimit", thuhet në njoftim.
Shtabi qendror i forcave të armatosura iraniane pretendoi se SHBA e ka shkelur armëpushimin me një sulm ndaj tankerit të tyre dhe ndaj një anije tjetër që hyri në Ngushticën e Hormuzit.
"Njëkohësisht, me ndihmën e disa vendeve të rajont, ata kryen sulme ajrore ndaj zonave civile përgjatë brigjeve të Bandar Hamir, Sirik dhe ishtullit Keshm", thuhet në njoftimin e Shtabit Qendror. qa/
Foto: printskrin