Selami: Pamundësia për dhënien e provimit të jurispodencës dhe noterisë në gjuhën amë është diskriminim
- Është dorëzuar një iniciativë në Qeveri për ndryshime ligjore të cilat do të mundësojnë dhënien e provimeve profesionale në gjuhën amë, kumtoi Avokati i Popullit, Faton Selami, në konferencën e sotme për shtyp me rastin e Raportit Vjetor për gjendjen e sigurimit, respektimit, realizimit dhe avancimit të lirive dhe të drejtave të njeriut për vitin 2025.
Shkup, 31 mars 2026 (MIA) - Është dorëzuar një iniciativë në Qeveri për ndryshime ligjore të cilat do të mundësojnë dhënien e provimeve profesionale në gjuhën amë, kumtoi Avokati i Popullit, Faton Selami, në konferencën e sotme për shtyp me rastin e Raportit Vjetor për gjendjen e sigurimit, respektimit, realizimit dhe avancimit të lirive dhe të drejtave të njeriut për vitin 2025.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Selami informoi se me iniciativën e tij hapi një çështje dhe iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoratit Shtetëror Administrativ në lidhje me dhënien e provimeve gjyqësore, noteriale dhe përmbarimore.
"Lidhur me iniciativën tonë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për dhënien e provimeve profesionale, provimin e jurisprudencës, provimin e noterit dhe provimin e përmbaruesit gjyqësor, pasi paraqita gjetjet, hapa një çështje me iniciativën time dhe iu drejtova Ministrisë së Drejtësisë, si dhe Inspektoratit Shtetëror Administrativ. Pas marrjes së përgjigjeve zyrtare, arritëm në përfundimin se zgjidhjet ekzistuese ligjore që rregullojnë këtë çështje nuk parashikojnë mundësinë e dhënies së këtyre provimeve në një gjuhë tjetër përveç në gjuhën maqedone. Nga kjo, arritëm në përfundimin se kjo krijon probleme ligjore dhe praktike për kandidatët që nuk e njohin gjuhën maqedone, ndërsa kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve juridike në gjuhën shqipe", deklaroi Selami.
Për të kapërcyer këtë situatë, ai potencoi se institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar Qeverisë me një iniciativë specifike për harmonizimin e ligjeve.
"Për të kapërcyer këtë situatë, e cila ekziston prej shtatë vite për shkak të moszbatimit të Ligjit për Përdorimin e gjuhëve, i kemi drejtuar një iniciativë specifike Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ndryshuar dhe plotësuar, përkatësisht për të harmonizuar zgjidhjet ligjore që rregullojnë këto provime, gjegjësisht për t'u mundësuar kandidatëve t'i japin këto provime në gjuhën e tyre amë. Sepse besojmë se nëse kjo nuk bëhet e mundur, është diskriminim, ose diskriminim indirekt bazuar në gjuhë. Prandaj, për zbatim konkret praktik, i jemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me iniciativa specifike", theksoi Selami. rq/
Foto: MIA