Saveski: Të gjithë prokurorët janë të barabartë, nuk do të ketë lidhje personale me lëndët
- Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski njoftoi sot në një takim informues me gazetarët se duke filluar nga nesër do të tërheqë plotësisht të gjitha autorizimet e dhëna për procedurat midis prokurorive, përveç në Koçan, Kriva Pallankë dhe Resnjë, ku për shkak të mungesës së prokurorëve autorizimet duhet të mbeten aktive. Ai theksoi se të gjithë prokurorët do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa favorizime, kurse në lidhje me rastin për "Koçanin" do të ketë trajtim të veçantë, institucional për shkak të kompleksitetit të tij të jashtëzakonshëm.
Shkup, 31 mars 2026 (MIA) - Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski njoftoi sot në një takim informues me gazetarët se duke filluar nga nesër do të tërheqë plotësisht të gjitha autorizimet e dhëna për procedurat midis prokurorive, përveç në Koçan, Kriva Pallankë dhe Resnjë, ku për shkak të mungesës së prokurorëve autorizimet duhet të mbeten aktive. Ai theksoi se të gjithë prokurorët do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa favorizime, kurse në lidhje me rastin për "Koçanin" do të ketë trajtim të veçantë, institucional për shkak të kompleksitetit të tij të jashtëzakonshëm.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me vendimet e fundit të Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe ndryshimet në përbërjen e prokurorëve që veprojnë në raste të ndjeshme, Saveski tha se lidhja personale e prokurorëve me raste specifike është një "praktikë e gabuar" dhe se vazhdimësia e procedurave duhet të sigurohet përmes kapacitetit institucional, jo personal.
"Prokurori publik është kategori e ndryshueshme. Rasti duhet të ketë vazhdimësi pavarësisht nëse prokurori rizgjidhet apo jo", theksoi Saveski, duke shtuar se çdo prokuror ka detyrim të përballet me sfidat e punës, përfshirë marrjen përsipër të rasteve tashmë aktive.
Duke folur për vazhdimësinë e rasteve, të cilat i ka udhëheq prokurorja Ivana Trajçeva që kanë të bëjnë me oficerët e policisë, të ndërlidhura me tragjedinë në Koçan, Saveski theksoi se nuk duhet të krijohet përshtypja se vetëm një prokuror mund të sigurojë trajtim cilësor.
"Ivana është një prokurore e shkëlqyer. Respekti im për punën e saj është i ditur. Por prokuroria nuk duhet të varet nga një person", tha ai.
Në seksionin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili hodhi poshtë unanimisht iniciativën e prokurores Lençe Ristoska, e cila pohonte se po kryhen ndikime dhe presione të jashtme mbi pavarësinë e saj profesionale, Saveski theksoi se ajo deri më tani i është referuar vetëm mundësisë ligjore për të kërkuar mbrojtje të integritetit. Ai shpjegoi se nuk bëhet fjalë për presion politik, por për një procedurë që ekziston në ligj për rastet kur strukturat superiore mund të kërcënojnë veprimin e pavarur të një prokurori.
Lidhur me rastet e ndjeshme, ai deklaroi se nuk pret vonesa ose rënie të cilësisë dhe se prokurorët që marrin përsipër çështjet do të jenë të përgatitur të përshtaten në proceset ekzistuese. Si shembull, ai përmendi se deri më tani ka pasur shumë situata në të cilat prokurorët morën përsipër raste të ndërlikuara në një fazë të avancuar, por e kanë vazhduar me sukses procedurën.
Saveski paralajmëroi gjithashtu edhe rregullim të sistemit të autorizimeve në zyrat e prokurorive. Sipas tij, ai gjeti një "situatë kaotike" me një numër të madh autorizimesh të dhëna dhe të tërhequra pa asnjë të dhënë. Ai njoftoi se të gjitha autorizimet do të tërhiqen dhe do të rishikohen përsëri, me përjashtim të autorizimeve në Koçan, Kriva Pallankë dhe Resnjë, ku për shkak të mungesës së prokurorëve është e nevojshme të vazhdohet modeli i deritanishëm.
Theksoi se për rastet me interes të lartë publik, si dhe për rastet aktuale që lidhen me aksidente të rënda dhe krim të organizuar, do të sigurohet përpunim i papenguar. Ai theksoi se nuk do të lejojë të krijohet përshtypja se një rast ka mbetur pa prokuror.
"Asnjë rast nuk do të mbetet pa përfaqësim. Do të ketë një prokuror për çdo rast", tha Saveski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në lidhje me raportet për seancat e anuluara në disa raste të ndjeshme.
Lidhur me deklaratat politike dhe fyerjet publike, ai theksoi se Prokuroria Publike nuk vepron sipas ankesave politike dhe se akuzat penale përpunohen në përputhje me detyrimet ligjore, jo për shkak të presionit publik.
Ai shtoi se mbështet digjitalizimin e proceseve, në mënyrë që çdo prokuror të mund të vlerësohet bazuar në parametra të matshëm - dinamikën e punës, cilësinë e vendimeve, kompleksitetin e rasteve dhe rezultatet.
Saveski u fokusua gjithashtu edhe rastet ku raportet e revizionit janë bazë për akuza penale, duke theksuar se Enti Shtetëror i Revizionit bashkëpunon rregullisht me prokurorinë dhe çdo rast i raportuar veprohet nëse ka indikacione për krim. mb/
Foto: MIA