Sançez: Spanja mbetet në NATO, por gjithmonë do të respektojë të drejtën ndërkombëtare
- Kryeministri spanjoll Pedro Sancçez deklaroi se vendi i tij do të mbetet anëtar i NATO-s, pas raportimeve mediatike se SHBA po shqyrton pezullimin e anëtarësisë së saj.
Madrid, 24 prill 2026 (MIA) – Kryeministri spanjoll Pedro Sancçez deklaroi se vendi i tij do të mbetet anëtar i NATO-s, pas raportimeve mediatike se SHBA po shqyrton pezullimin e anëtarësisë së saj.
"Spanja është një anëtare besnike e Aleancës që i përmbush obligimet e saj, por brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare – deklaroi Sançez në Samitin e BE-së në Qipro.
Ai është një nga kritikët më të zëshëm në Evropë të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, për çka është sulmuar verbalisht disa herë nga presidenti amerikan Donald Tramp.
Mediat perëndimore më herët raportuan se në Pentagon po qarkullon një shënim me propozime-masa ndaj vendeve anëtare të NATO-s që nuk kanë mbështetur ushtrinë amerikane në luftën kundër Iranit.
Në rastin e Spanjës, në një mesazh elektronik përmendet mundësia e pezullimit të anëtarësisë së saj me iniciativë të SHBA-së.
"Ne nuk punojmë mbi bazën e mesazheve elektronike, por mbi bazën e dokumenteve zyrtare dhe qëndrimeve të qeverisë së SHBA", tha Sançez.
"Qëndrimi i qeverisë spanjolle është i qartë: bashkëpunim i plotë me aleatët, por gjithmonë brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare", shtoi ai.
Qeveria në Madrid e ka vlerësuar luftën kundër Iranit si “të paligjshme” dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ndaj i ka ndaluar SHBA-së përdorimin e bazave ushtarake në jug të vendit për sulme ndaj Iranit. Gjithashtu ka mbyllur hapësirën ajrore për aeroplanët ushtarakë amerikanë që marrin pjesë në sulme.
Në komunikimin e brendshëm të Pentagonit përmendet edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila mund të humbasë mbështetjen e SHBA-së në mosmarrëveshjen me Argjentinën rreth Ishujve Malvinas (Falklands), pas luftës së vitit 1982.
Londra fillimisht gjithashtu ka ndaluar përdorimin e bazave të saj për sulme ndaj Iranit. ls/
Foto: EPA