• вторник, 24 март 2026

Sançezi: Qëndrimi i Qeverisë spanjolle është i qartë - jo për luftën

Sançezi: Qëndrimi i Qeverisë spanjolle është i qartë - jo për luftën

Madrid, 4 mars 2026 (MIA) – Kryeministri spanjoll, Pedro Sançez, duke iu përgjigjur kërcënimit të presidentit amerikan Donald Tramp se mund ta ndërpresë tregtinë me Spanjën për shkak të qëndrimit të saj për luftën në Iran, deklaroi sot se qëndrimi i Qeverisë spanjolle është i qartë, “jo për luftën”.

Sançezi shtoi se sot do t’i flasë kombit, njoftoi “Pais”. 

Kryeministri spanjoll dje ishte i prerë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në veprime ushtarake, as se do ta mbështesë përshkallëzimin e konfliktit. 

Trampi publikoi dje se SHBA-ja do ta ndërpresë gjithë tregtinë me Spanjën pasi vendi refuzoi t’i lejojë ushtrisë amerikane të shfrytëzojë bazat e saj për misione në lidhje me sulmet ndaj Iranit. 

“Spanja ishte e tmerrshme. I thashë (sekretarit amerikan për financa) Skot Besant t’i ndërpresë të gjitha marrëdhëniet afariste me Spanjën. Nuk duam të kemi kurrfarë lidhje me Spanjën”, tha Trampi gjatë konferencës së përbashkët për media me kancelarin gjerman, Fridrih Merc, sipas Skaj njuz. 

Gazeta “Pais” paraprakisht dje njoftoi se Sançezi ka vendosur të mos i lejojë SHBA-së të shfrytëzojnë bazat ushtarake amerikane në Spanjë për operacione kundër Iranit, edhe krahas pasojave të mundshme politike nga vendimi i tillë. 

Trampi tha se SHBA-ja thjesht mund t’i shfrytëzojë bazat spanjolle, edhe krahas kundërshtimeve të Qeverisë spanjolle. 

Spanja është në mesin e vendeve të rralla evropiane të cilat haptas e dënuan aksionin e SHBA-së dhe Izraelit, përderisa disa anëtare të BE-së shprehën rezerva, por theksuan se i kuptojnë caqet e sulmit. 

Madridi thotë se do të vazhdojë të angazhohet për qetësim të situatës dhe kthimin në tryezën e bisedimeve, duke propozuar se konflikti i vazhduar mund të ketë pasoja serioze për Evropën. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан