Rute: NATO do të kundërshtojë përpjekjet për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor
- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot në Podgoricë porositi se Ballkani Perëndimor ka rëndësi të madhe strategjike për Aleancën.
Podgoricë, 12 maj 2026 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot në Podgoricë porositi se Ballkani Perëndimor ka rëndësi të madhe strategjike për Aleancën.
Ai vuri në dukje ekzistencën e aktorëve që përpiqen ta tërheqin rajonin prapa dhe ta destabilizojnë, duke theksuar se NATO do t'i kundërshtojë qëllime të tilla.
"E dimë se ka aktorë që përpiqen ta tërheqin Ballkanin Perëndimor prapa, ta prishin progresin dhe ta destabilizojnë rajonin. NATO është e përkushtuar të sigurojë që problemet e së kaluarës të mbeten në të kaluarën. Do ta thksojmë çdo aktivitet keqdashës në territorin e NATO-s dhe do ta kundërshtojmë atë", tha Rute në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin malazez Milojko Spajiq dhe anëtarët e Qeverisë së Malit të Zi.
Sipas tij, jetojmë në një botë të rrezikshme dhe NATO ka nevojë për shoqëri të forta që ndërtojnë ushtri të forta.
"Rusia vazhdon të zhvillojë luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës. Kina po bëhet gjithnjë e më e vendosur në qasjen e saj, dhe fqinjësia jonë jugore është e paqëndrueshme", vlerësoi Sekretari i Përgjithshëm dhe tha se aleatët duhet të investojnë më shumë në pajisje, të rrisin prodhimin e mbrojtjes dhe të forcojnë mbështetjen për Ukrainën.
Rute përshëndeti pjesëmarrjen e Malit të Zi në misionet botërore, veçanërisht në Kosovë, mbështetjen për Ukrainën dhe vlerësoi shpenzimet e mbrojtjes, të cilat aktualisht tejkalojnë dy për qind të PBB-së.
Kryeministri malazez Milojko Spajiq theksoi se kapacitetet e Ushtrisë malazeze janë "forcuar ndjeshëm në vitet e fundit", duke shtuar se besimi i qytetarëve në ushtri është në një nivel historik prej 78 për qind. Ai paralajmëroi se në qershor, Mali i Zi do të nënshkruajë një marrëveshje me ShBA-në për infrastrukturën kritike për përdorim ushtarak dhe civil, si dhe bashkëpunimin me Kanadanë dhe Gjermaninë.
Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq, Ministri i Punëve të Jashtme Ervin Ibrahimoviq dhe Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq. Rutte u takua gjithashtu veçmas me Presidentin Jakov Milatoviq, pas të cilit do t'u drejtohet studentëve në Fakultetin e Shkencave Politike në Podgoricë.
Mali i Zi është anëtar i Aleancës që nga qershori i vitit 2017.
Foto: EPA