• сабота, 21 февруари 2026

Rubio: SHBA-ja nuk largohet nga Evropa, por po tenton ta rivendos miqësinë e vjetër

Rubio: SHBA-ja nuk largohet nga Evropa, por po tenton ta rivendos miqësinë e vjetër

Munih, 14 shkurt 2026 (MIA) - Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio në ditën e dytë të Konferencës së sigurisë në Munih tha se SHBA-ja nuk po tenton të largohet nga Evropa, por të vendos jetë të re në miqësinë e vjetër.

"Dëshirojmë që Evropa të jetë e fuqishme. Besojmë se Evropa duhet të mbijetojë, pasi dy luftërat e mëdha të shekullit të kaluar shërbejnë si kujtesë e vazhdueshme se në fund fati i ynë është dhe do të jetë i ndërthurur me tuajin", tha Rubio.

Ai i ka potencuar lidhjet afatgjate historike mes SHBA-së dhe Evropës.

"SHBA-ja dhe Evropa duhet së bashku të ballafaqohen me sfidat...Por, Uashingtoni dëshiron që aleatët e tij të jenë të fuqishëm që asnjë kundërshtar të mos ketë guxim t'i testojë", tha Rubio.

Ai tha se edhe krahas vlerësimeve për fund të epokës transatlantike, ky nuk është qëllimi i SHBA-së.

"Dhe sot jam këtu për ta bërë të qartë se Amerika e hap rrugën për një shekull të ri prosperiteti. Dhe se edhe një herë duam ta bëjmë këtë së bashku me ju, aleatët tanë të dashur dhe miqtë tanë më të vjetër", tha sekretari amerikan i Shtetit.

Rubio, në fjalimin e tij u përqëndrua edhe në migracionin, i cili, sipas tij, po destabilizon edhe Evropën.

"Migrimi masiv nuk është dhe nuk ka qenë kurrë problem i vogël periferik. Ky ka qenë dhe vazhdon të jetë krizë që po transformon dhe destabilizon shoqëritë në tërë Perëndimin", theksoi Rubio, duke shtuar se SHBA-ja dhe Evropa "nuk duhet të kërkojnë falje për trashëgiminë e tyre", ndërsa kultura dhe historia perëndimore janë "unike, të njohura dhe të pazëvendësueshme".

Ai deklaroi se SHBA-ja, nën udhëheqjen e presidentit Donald Tramp, "përsëri e ndërmarrin detyrën e rindërtimit dhe rikonstruimit" dhe kërkojnë seriozitet dhe reciprocitet nga miqtë në Evropë.

"Pasi ne në Amerikë nuk kemi interes të jemi policë dhe vëzhgues të rënies së kontrolluar të Perëndimit. Ne nuk synojmë të përçajmë, por të ringjallim miqësitë e vjetra dhe të rindërtojmë civilizimin më të madh në historinë e njerëzimit", tha Rubio.

Ai paralajmëroi edhe se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështes marrëveshje paqesore në Ukrainë, por duhet të sigurohen që Rusia me të vërtetë dëshiron t'i ndalë luftimet.

"Nuk e dimë nëse rusët janë seriozë lidhur me përfundimin e luftës. Ata thonë se po. Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë", deklaroi Rubio. bsh/

Foto: EPA

Остани поврзан