• четврток, 12 февруари 2026

Rokas për luftën kundër korrupsionit: Tani ka drejtim të vërtetë

Rokas për luftën kundër korrupsionit: Tani ka drejtim të vërtetë

Tetovë, 11 shkurt 2026 (MIA) -Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas nga Bogovina e Tetovës duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me luftën kundër korrupsionit, vlerësoi se lëvizjet në këtë fushë janë të drejtuara drejt qëllimit të caktuar. Ai vlerësoi se lufta kundër korrupsionit u godit seriozisht me ndryshimet në Kodin Penal në vitin 2023, por beson se tani ajo ka drejtimin e duhur.

"Mendoj se kjo çështje duhet të adresohet, tashmë ka pasur një iniciativë nga Kuvendi i vendit. Në fakt, u miratuan disa amandamente dhe shtesa. Megjithatë, këto amandamente dhe shtesa të sapomiratuara në Kodin Penal ende nuk i janë dorëzuar Komisionit Evropian për vlerësim. Nga ana tjetër, javën e kaluar u krijua një komision ose Komitet i ri për Hetimet Financiare, për konfiskimin e pronës. Në të vërtetë, krijimi i një komisioni ose organi të tillë ishte vërtet inkurajues për t'u parë, kështu që mendoj se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur", theksoi Rokas.

Ambasadori i BE-së tha se u takua me kryetarin e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, gjë që i jep gjithashtu shpresë se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur.

"Ata kanë miratuar një plan pune që mendoj se është gjithëpërfshirës. Pra, mendoj se ka edhe shumë gjëra që duhen zbatuar, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit. Mendoj se të gjitha këto gjëra duhet të ndodhin paralelisht dhe shpresojmë se do të jepet kontributi i duhur për të adresuar të gjitha këto çështje, kështu që mendoj se duke marrë parasysh të gjitha këto zhvillime, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur", theksoi Rokas.

Për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Rokas tha se është i informuar dhe kërkoi që Kushtetuta të respektohet pa politizim.

"Natyrisht, Kushtetuta dhe legjislacioni kombëtar duhet të respektohen. Sigurisht, kur paraqiten çështje të tilla, duhet të zhvillohet një dialog gjithëpërfshirës me të gjithë palët e interesuara. Sigurisht, pa asnjë politizim të një çështjeje të tillë", tha Rokas.

Kur u pyet për vlerësimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese që synojnë integrimin e Maqedonisë në BE, Rokas kujtoi vizitën e liderëve të BE-së dhe mesazhin e tyre unik se dyert e Bashkimit Evropian janë të hapura për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe se vendi i përket familjes së madhe evropiane.

Ambasadori i Bashkimit Evropian Rokas e vizitoi Komunën e Bogovinës si pjesë e iniciativës për të informuar opinionin për përafrimin me BE-në dhe procesin e integrimit të vendit me komunitetet lokale. Vizita filloi me një takim midis Ambasadorit dhe Kryetarit të komunës, Feti Abazi dhe anëtarëve të Këshillit Komunal. ls/

Foto: MIA

 

 

Остани поврзан