Risteski: Sindikatat të bëjnë analizë për pagën minimale të cilën e kërkojnë, protestat janë politikëbërje
- – Në vend që të merren me politikë, sindikatat që po protestojnë të bëjnë analizë si do të ndikonte paga minimale prej 600 euro të cilën e kërkojnë, nëse do të shkaktojë mbyllje të ndërmarrjeve të vogle, mikro dhe të mesme të cilat mezi mbijetojnë nga i pari deri te i pari, nëse do të ndikojë mbi çmimet e produkteve finale, nëse do të shkaktojë rritje të inflacionit ose disa pasoja të tjera mbi ekonominë vendore, porositi sonte zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski.
Shkup, 10 shkurt 2026 (MIA) – Në vend që të merren me politikë, sindikatat që po protestojnë të bëjnë analizë si do të ndikonte paga minimale prej 600 euro të cilën e kërkojnë, nëse do të shkaktojë mbyllje të ndërmarrjeve të vogle, mikro dhe të mesme të cilat mezi mbijetojnë nga i pari deri te i pari, nëse do të ndikojë mbi çmimet e produkteve finale, nëse do të shkaktojë rritje të inflacionit ose disa pasoja të tjera mbi ekonominë vendore, porositi sonte zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski.
Në ditarin e TV Sitel, duke folur si mysafir, Risteski edhe një herë theksoi se për rritjen e pagave minimale dhe të tjerave, punëdhënësit dhe punëtorët duhet të merren vesh dhe të gjejnë zgjidhje të përbashkët të cilën Qeveria është e gatshme ta pranojë. Nëse nuk ndodh kjo, mbetet të vlejë formula për pagën minimale, e arritur me dialog trepalësh, të cilën, tha, e nënshkruan edhe sindikatat të cilat protestojnë tani.
Zëvendësministri është i vendosur se kërkesat për rritjen e pagës minimale duhet të bazohen në parametra realë ekonomikë të cilët nuk do të shkaktojnë kurrfarë turbulencash në ekonominë vendore.
“Ajo që kërkojnë sindikatat nuk është realiste, janë hedhur shifra ad-hok, fillimisht u fol për 450 euro, ndërsa tani ka arritur në 600. Kërkesat duhet të jenë mbi baza realiste, mbi parametra realë ekonomikë që nuk do të krijojnë turbulenca në ekonomi. Nuk shoh asnjë arsye për të protestuar, sepse mbi bazën e dialogut demokratik sindikatat duhet ta zgjidhin problemin e pagës minimale me sektorin privat. Kur kërkojmë zgjidhje ad-hok si kjo për pagë minimale prej 600 eurosh, duhet të kemi edhe analizë se çfarë do të thotë kjo. Mendoj se këto sindikata nuk kanë bërë analizë dhe se kjo është politikë e thellë. Derisa po humbnin kohën duke bërë politikë, mund të ishin ulur dhe të bënin analizë”, nënvizoi Risteski.
Ai foli edhe për marrëveshjen të cilën e arriti Qeveria me AOJSHQ dhe SADSH për rritjen e pagave të 11.000 administratorëve.
“Qeveria ka treguar kapacitet për dialog social dhe ka përfunduar procesin e rritjes së pagave në administratën publike. Tani vijojnë negociatat për Marrëveshjen e re të Përgjithshme Kolektive. Ne duam zgjidhje sistematike për administratën dhe për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Lidhur me punëdhënësit dhe punëtorët, nuk duam të imponojmë qëndrimin tonë, në fund të fundit, ky është sektor privat. Të dyja palët duhet të gjejnë zgjidhje të përbashkët”, theksoi Risteski. fc/
Foto: Printskrin