• сабота, 16 мај 2026

"Reporterët pa kufij": Liria e mediave në botë në nivelin më të ulët në 25 vitet e fundit

Berlin, 30 prill 2026 (MIA) - Më shumë se gjysma e shteteve dhe territoreve në botë për herë të parë në historinë 25-vjeçare të renditjes ndodhen në kategoritë "e vështirë" ose "shumë serioze" kur bëhet fjalë për lirinë e mediave, njoftoi organizata "Reporterët pa kufij".

Sipas të dhënave të raportit të publikuar sot nga Organizata, në kuadër të Indeksit vjetor të lirisë së mediave, vetëm shtatë vende vlerësohen si mjedis "i mirë" për gazetarët, dhe ato së bashku përfaqësojnë vetëm një për qind të popullsisë botërore.

"Reporterët pa kufij" thekson se rënia më e madhe globale këtë vit është vërejtur në kornizën ligjore, pasi gazetaria gjithnjë e më shpesh kufizohet përmes ligjeve të miratuara me pretekstin e luftës kundër terrorizmit ose mbrojtjes së sigurisë kombëtare.

Norvegjia për dhjetë vite me radhë e ka mbajtur vendin e parë në renditje, ndërsa pasohet nga Holanda dhe Estonia. Në fund të listës përsëri gjendet Eritrea, ndërsa ndër vendet më të dobëta të renditura janë edhe Koreja e Veriut dhe Kina.

Përmirësim më të madh shënon Siria, duke u ngjitur nga vendi i 177-të në të 141-in, pas rënies së qeverisë së Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024 dhe ndryshimeve politike pasuese. Rënie më të madhe shënon Nigeria, duke humbur 37 vende dhe duke zbritur në pozicionin e 120-të.

Të gjitha 19 vendet e renditura më lart janë në Evropë. Mes tyre, Gjermania ndodhet në vendin e 14-të, që është një rënie prej tre pozicionesh krahasuar me vitin e kaluar, por ende klasifikohet në kategorinë "e kënaqshme".

"Reporterët pa kufij" vërejnë përkeqësim të mjedisit të punës për gazetarët në Gjermani, përfshirë fyerje onlajn, kërcënime, fushata shpifjesh dhe rritje të mosbesimit. Paralajmërohet se gazetarët që raportojnë për tema të ndjeshme, si rrymat e ekstremit të djathtë apo lufta në Gazë, po përballen gjithnjë e më shpesh me presione dhe rrezik nga sulme publike. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë për shtatë vende dhe tani ndodhen në pozitën e 64-të, ndërsa në raport theksohet dhuna ndaj gazetarëve nga ana e policisë dhe agjentëve të shërbimit të imigracionit, si dhe ulja e financimit të mediave ndërkombëtare të mbështetura nga SHBA-ja.

Indeksi përfshin 180 vende dhe territore dhe i vlerëson ato sipas sigurisë, kontekstit politik, kornizës ligjore dhe kushteve ekonomike e sociale që ndikojnë në lirinë e mediave. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан