Regjim i posaçëm në Tetovë, Gostivar dhe Dibër për shkak të vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj
- Sot në Tetovë, Gostivar dhe Dibër do të ketë regjim të posaçëm trafiku për shkak të qëndrimit të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po përfundon vizitën zyrtare tre ditore në vend.
Tetovë/Dibër, 28 shkurt 2026 (MIA) - Sot në Tetovë, Gostivar dhe Dibër do të ketë regjim të posaçëm trafiku për shkak të qëndrimit të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po përfundon vizitën zyrtare tre ditore në vend.
Komuna e Tetovës dhe SPB Tetovë informojnë se sot do të ketë masa të përkohshme të sigurisë në qytet, regjim të veçantë trafiku dhe ndalim parkimi në disa rrugë me rastin e vizitës së presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tetovë.
Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardin "Marshall Tito" nga fillimi deri te rrethrrotullimi te tregu me bulevardin "Blagoja Toska", në bulevardin "Blagoja Toska" nga rrethrrotullimi me bulevardin "Marshall Tito" deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës, në rrugën "JNA" ("Dervish Cara") në tërësi, deri te semaforët, në rrugën "Ilindenska" nga Gjykata Themelore deri te Universiteti i Evropës Juglindore, në rrugën "Kiro Ristoski-Drnc" deri te Arabati Baba Teqe, në rrugën "VonVardarska" dhe në rrugën "172".
"Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet, njoftojnë nga Komuna e Tetovës.
SPB Tetovë u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë urdhrat dhe udhëzimet e dhëna nga nëpunësit policorë, me qëllim të sigurimit të rrjedhës së qetë dhe të sigurt të trafikut.
"Stacioni i Policisë për Siguri Rrugore në Tetovë dhe Departamenti i Policisë për Siguri Rrugore në Gostivar pranë SPB Tetovë do të marrin masa për një regjim të veçantë trafiku në rrugët në zonën më të gjerë qendrore të Tetovës dhe Gostivarit", njoftuan nga SPB Tetovë.
Sipas agjendës, presidenti Begaj do ta vizitojë Komunën e Tetovës, Shkollën Fillore "Liria", Xhaminë e Larme dhe Teqenë Arabati Baba.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare tre-ditore në vend, do ta përfundojë qëndrimin e tij me një vizitë në Dibër në pasdite, pasi të vizitojë komunën e Gostivarit, nga ku do të niset për në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të Bllatos.
Me atë rast, nga DPB Dibrës njoftuan se një regjim i veçantë trafiku do të jetë në fuqi në të gjithë vendin për të siguruar lëvizjen e qetë të automjeteve të delegacionit dhe zhvillimin e qetë të aktiviteteve të planifikuara.
"Për këtë qëllim, nëpunësit policor nga DPB Dibër dhe SPB Ohër do të kryejnë siguri fizike në rrugën e lëvizjes, si dhe në objektet ku janë planifikuar takime pune. Masat fillojnë në orën 12:00 dhe do të zgjasin deri në orën 19:00", informoi Stefan Dimoski, zëdhënës i Departamentit të Punëve të Brendshme - Ohër.
Sipas Komunës së Dibrës, Begaj do të takohet me kryetarin e komunës, Fisnik Melja, por nuk janë planifikuar deklarata. sa/
Foto: MIA arkivi