• петок, 13 март 2026

Reagim i KE-së dhe ambasadave të huaja pas vendimit për Ballukun, për Ramën këtë do ta bëntë çdo parlament në Evropë

Reagim i KE-së dhe ambasadave të huaja pas vendimit për Ballukun, për Ramën këtë do ta bëntë çdo parlament në Evropë

Tiranë, 12 mars 2026 (MIA) – Pas vendimit të Parlamentit shqiptar për të refuzuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e mandatit të deputetes Belinda Balluku, reaguan Komisioni Evropian dhe disa ambasada të huaja.

Komisioni Evropian thekson se përkushtimi ndaj sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit ka një rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, thekson rëndësinë e krijimit të kushteve që SPAK të mund të kryejë detyrën e saj në mënyrë efektive, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

“BE ka ndjekur rezultatin e votimit të sotëm në Parlamentin shqiptar. Sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive detyrën e saj është thelbësor për mbështetjen e besueshme të përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE,” thuhet në reagimin e Komisionit Evropian.
 
 Në reagimet e ambasadave të Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe të vendeve të tjera, theksohet se “një kusht i domosdoshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së është ndjekja penale efektive e korrupsionit, madje edhe në rastet me rang të lartë.”

Në reagimin e tij, kryeministri Edi Rama e quajti të drejtë vendimin e Parlamentit, duke shtuar se çdo parlament në Evropë do të vepronte në të njëjtën mënyrë.
 
 Si përgjigje ndaj reagimeve të ambasadave kryesore evropiane, kreu i pushtetit ekzekutiv thekson se qëllimi i qeverisë mbetet i palëkundur: Shqipëria në BE deri në vitin 2030.

Shtëpia ligjvënëse, me votat e shumicës qeverisëse, refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, e dyshuar për korrupsion, me qëllim arrestimin e saj. Më parë, ajo ishte shkarkuar nga detyrat e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës. ls/
 
Foto: printskrin

 

Остани поврзан