Raport: 266 milionë njerëz në botë vitin e kaluar u prekën nga uria
- Numri i njerëzve që vuajnë nga uria mbetet jashtëzakonisht i lartë në botë, tregon raporti i Rrjetit Global kundër krizave të lidhura me ushqimin (GNAFC).
Romë, 24 prill 2026 (MIA) -Numri i njerëzve që vuajnë nga uria mbetet jashtëzakonisht i lartë në botë, tregon raporti i Rrjetit Global kundër krizave të lidhura me ushqimin (GNAFC).
Vitin e kaluar rreth 266 milionë njerëz në 47 vende u përballën me rrezik të pasigurisë akute në furnizimin me ushqim, thuhet në të dhënat më të fundit të publikuara sot.
Në raport theksohet se dhjetë vende janë prekur në mënyrë disproporcionale, përfshirë Afganistanin, Sudanin dhe Jemenin.
Sipas GNAFC, pasiguria akute në furnizimin me ushqim gjatë dekadës së fundit është dyfishuar, ndërsa niveli global i urisë mbetet alarmantisht i lartë.
Në dokument theksohet se vitin e kaluar, për herë të parë në histori, u shpall uri në dy zona – në pjesë të Rripit të Gazës dhe në pjesë të Sudanit.
Sa i përket këtij viti, rrjeti parashikon një perspektivë të zymtë. Konfliktet e vazhdueshme, ndryshimet klimatike dhe pasiguria ekonomike globale me shumë gjasa do ta mbajnë situatën në nivel kritik në shumë vende, madje edhe ta përkeqësojnë atë.
Përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme mund ta përkeqësojë më tej situatën në disa vende dhe rajone, por sipas rrjetit, ende është herët për vlerësime të sakta.
Ministria gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim iu bashkua GNAFC në fillim të këtij viti.
Në reagim ndaj raportit, sekretari shtetëror Nils Anen bëri thirrje për “veprim të fortë, kolektiv dhe të koordinuar”. ls/
Foto: Piksabej