• сабота, 16 мај 2026

Rajan Noks për MIA-n: Modeli rajonal e transformon menaxhimin e mbetjeve nga një seri zgjidhjesh lokale të pjesshme në një shërbim publik modern

Rajan Noks për MIA-n: Modeli rajonal e transformon menaxhimin e mbetjeve nga një seri zgjidhjesh lokale të pjesshme në një shërbim publik modern

Shkup, 2 maj 2026 (MIA)

Ana Cvetkovska

– Sistemi i menaxhimit të mbetjeve në Maqedoninë e Veriut ndodhet në një pikë kthese. Vendi ka miratuar një kornizë të plotë ligjore të harmonizuar me standardet e BE-së, por zbatimi ende mbetet prapa. Sistemi vazhdon të jetë i fragmentuar, me mbulim të pabarabartë të shërbimeve, përqindje shumë të ulët riciklimi dhe varësi nga deponitë që nuk i përmbushin standardet e përcaktuara – thotë në një intervistë për MIA drejtori ekzekutiv i SALAR Internacional, pjesë e Shoqatës Suedeze të Autoriteteve Lokale dhe Rajoneve, e cila është një lloj homologu i ZELS. Ai shton se megjithatë, gjithnjë e më shumë komuna po fillojnë ta shohin menaxhimin e mbetjeve jo vetëm si kosto, por edhe si mundësi të lidhur me shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe, që është shumë e rëndësishme, me integrimin në BE.

Noks këtë javë mori pjesë në Forumin Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve “Së bashku për një rajon pa mbetje: drejt një sistemi rajonal funksional dhe të qëndrueshëm”, i mbajtur në Shkup në organizim të projektit “Menaxhim i qëndrueshëm i mbetjeve në nivel lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR Internacional, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe ZELS.

– Studimi ynë i fundit për ndikimin e procesit të anëtarësimit në BE mbi autoritetet lokale tregon qartë se ky sektor është një pikë kyçe hyrëse për reforma, ku progresi mund të përshpejtojë harmonizimin me standardet e BE-së dhe të sjellë përmirësime të dukshme për qytetarët – thotë Noks.

Qytetarët në të gjitha 18 komunat në rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor këtë vit do të marrin kontejnerë për hedhjen dhe selektimin e mbetjeve, ndërsa ndërmarrjet publike komunale do të pajisen me kamionë në madhësi të ndryshme për grumbullim më efikas të mbetjeve. Këto investime janë parapërgatitje për realizimin e Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Mbetjeve, e cila për nevojat e 350.000 banorëve nga të dy rajonet do të ndërtohet në komunën e Novacit. Përveç një deponie qendrore, qendra do të ketë edhe katër stacione transferimi dhe disa qendra grumbulluese. Qendra rajonale do të duhet të mbyllë 16 deponi që aktualisht funksionojnë pa standarde.

Për projektin tashmë janë siguruar mjete financiare përmes një kredie nga BERZH, si dhe grante nga Suedia dhe Zvicra. Është formuar edhe Bordi Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbetjeve, ku marrin pjesë të gjitha 18 komunat nga të dy rajonet, ndërsa në periudhën e ardhshme pritet të formohet edhe një ndërmarrje rajonale komunale.

Në intervistën për MIA, Noks flet pikërisht për këtë proces, për përfitimet e sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve, për mbështetjen që SALAR Internacional u jep autoriteteve maqedonase, për praktikat suedeze dhe për atë që nga ato njohuri mund të zbatohen në Maqedoni.

Noks thekson se përfitimi më i madh është se modeli rajonal e transformon menaxhimin e mbetjeve nga një seri zgjidhjesh lokale të pjesshme në një shërbim publik modern.

– Sot, shumë komuna punojnë në mënyrë të pavarur, shpesh pa burimet e nevojshme për menaxhim efektiv të mbetjeve. Sistemi rajonal i menaxhimit të mbetjeve (SRMM) e ndryshon këtë duke nxitur bashkëpunimin ndërkomunal, duke u mundësuar komunave të ndajnë infrastrukturën, ekspertizën dhe kostot – thotë ai.

Në vijim vazhdon intervista e plotë me drejtorit ekzekutiv të SALAR Internacional, Rajan Noks:

Keni marrë pjesë në Forumin Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve në Shkup. Si do ta vlerësonit gjendjen aktuale në Maqedoni dhe cilat janë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen komunat?

– Sistemi i menaxhimit të mbetjeve në Maqedoninë e Veriut ndodhet në një pikë kthese. Vendi ka bazë të mirë ligjore të harmonizuar me BE-në, por zbatimi mbetet prapa. Sistemi është i fragmentuar, me mbulim të pabarabartë, nivel të ulët riciklimi dhe varësi nga deponitë jo standarde. Procesi i decentralizimi ka qenë më shumë institucional sesa funksional, kështu që komunat kanë shumë detyrime, por shpesh pa burimet e nevojshme. Kapacitetet e kufizuara teknike, sistemet e dobëta të arkëtimit dhe tarifat e ulëta krijojnë një rreth vicioz; shërbimet nuk përmirësohen sepse nuk financohen mjaftueshëm, ndërsa qytetarët nuk duan të paguajnë për shërbime jo cilësore. Ekziston edhe dimensioni politik – projektet infrastrukturore si deponitë apo stacionet transferuese janë çështje të ndjeshme, sidomos gjatë zgjedhjeve, gjë që i ngadalëson reformat. Megjithatë, po vërehet progres gradual dhe komunat po e shohin këtë sektor edhe si mundësi, jo vetëm si shpenzim, por edhe si mundësi të lidhur me shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe, që është shumë e rëndësishme, me integrimin në BE. Studimi ynë i fundit për ndikimin e procesit të anëtarësimit në BE mbi autoritetet lokale tregon qartë se ky sektor është një pikë kyçe hyrëse për reforma, ku progresi mund të përshpejtojë harmonizimin me standardet e BE-së dhe të sjellë përmirësime të dukshme për qytetarët.

Reformë kyçe është vendosja në përdorim e sistemit rajonal të menaxhimit me mbetjet. Çka e bën këtë sistem më të mirë se modelin e tanishëm?

– Dallimi kryesor është se modeli rajonal zëvendëson fragmentimin me bashkëpunim. Komunat sot veprojnë të ndara dhe pa burime të mjaftueshme. Sistemi rajonal mundëson ndarjen e infrastrukturës, ekspertizës dhe kostove, duke bërë të mundur ndërtimin e objekteve moderne, rritjen e efikasitetit dhe përmbushjen e standardeve të BE-së. Po ashtu krijohen struktura më të qarta menaxhuese që rrisin llogaridhënien. Për qytetarët kjo do të thotë shërbime më cilësore, mjedis më i pastër dhe më shumë mundësi për riciklim. Infrastrukturat si deponitë rajonale, stacionet transferuese dhe qendrat grumbulluese, së bashku me selektimin e mbetjeve dhe mbylljen graduale të deponive ilegale, sigurojnë një mjedis më të pastër dhe më të sigurt. Në thelb, kjo e shndërron menaxhimin e mbetjeve në një shërbim publik modern.

SALAR Internacional bashkëpunon ngushtë me partnerët maqedonas. Cilat janë rezultatet kryesore deri më tani?

– Projekti u përqendrua në vendosjen e themeleve për ndryshime afatgjata. Një nga arritjet kryesore është hartimi, miratimi dhe zbatimi i suksesshëm i Planeve Lokale të Veprimit në 15 komuna partnere. Këto plane e përkthyen Strategjinë Kombëtare dhe Planin Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve (PRMM) në veprime konkrete dhe operative në nivel lokal dhe u zhvilluan përmes një procesi gjithëpërfshirës ku u përfshinë punonjës të komunave, ndërmarrjeve publike dhe qytetarët. Forcimi i kapaciteteve ishte gjithashtu në fokus. Përmes trajnimeve, mentorimit dhe vizitave studimore, veçanërisht në Suedi dhe Serbi, ku SALAR International mbështet iniciativa të ngjashme, kryetarët e komunave dhe stafi teknik fituan njohuri praktike dhe, më e rëndësishmja, një perspektivë të re për atë që është e arritshme. Përveç kësaj, me mbështetjen e ekspertëve suedezë dhe maqedonas, janë krijuar një sërë mjetesh dhe metodologjish që ndihmojnë komunat në planifikim, zbatim dhe vendimmarrje. Gjithashtu është mbështetur progres real në bashkëpunimin ndërkomunal. Themelimi i Bordit Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve për rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor është veçanërisht i rëndësishëm, pasi sinjalizon një angazhim në rritje nga komunat. Një nga vendimet e para të tij ishte nisja e hartimit të një plani të ri rajonal, proces që fillon pas Forumit. Po ashtu, është përmirësuar edhe përfshirja e qytetarëve. Përmes fushatave ndërgjegjësuese, programeve shkollore dhe iniciativave pilot për selektimin e mbetjeve, komunat po hapen gjithnjë e më shumë për dialog me qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, të mbështetura nga metodologjia e SALAR Internacional. Edhe pse të vogla, këto janë hapa të rëndësishëm drejt ndryshimit të sjelljes, ndërtimit të besimit dhe sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të sistemit.

Suedia shpesh përshkruhet si një nga vendet me sistemin më të avancuar të menaxhimit të mbetjeve në botë. Çfarë e bën modelin suedez të suksesshëm dhe pse është interesant për vendet e tjera?

– Sistemi suedez i menaxhimit të mbetjeve shpesh admirohet në nivel ndërkombëtar, por duhet të jemi modestë në këtë drejtim. Ai është ndërtuar për dekada dhe vazhdon të zhvillohet, veçanërisht në aspektin e parandalimit, ripërdorimit dhe riciklimit. Megjithatë, rezultatet janë të qarta: depozitimi i mbetjeve është minimizuar, mbetjet shihen si burim, ndërsa komunat ofrojnë shërbime cilësore të orientuara drejt qytetarëve. Ajo që e bën sistemin funksional nuk është vetëm teknologjia, por një kombinim i politikave afatgjata, përgjegjësive të qarta, bashkëpunimit ndërkomunal dhe besimit të fortë të publikut. Komunat shpesh bashkëpunojnë përmes ndërmarrjeve të përbashkëta për menaxhimin e mbetjeve, duke u mundësuar të punojnë në mënyrë efikase dhe në shkallë të gjerë. Suedia është gjithashtu proaktive ndaj legjislacionit mjedisor të BE-së, duke e trajtuar atë si shtysë për inovacion dhe jo vetëm si detyrim. Kjo është një mësim kyç për vende si Maqedonia e Veriut, ku integrimi në BE mund të përshpejtojë reformat vetëm nëse shoqërohet me kapacitet dhe llogaridhënie lokale. Ekziston interes i madh ndërkombëtar për zgjidhjet suedeze. Përmes partneriteteve tona dhe bashkëpunimit me “Team Sweden Smart Cities”, shohim se vendet nuk kërkojnë vetëm zgjidhje teknike – ato duan të kuptojnë si organizohen komunat, si përfshihen qytetarët dhe si funksionojnë sistemet në praktikë. Në fund, mësimi është i thjeshtë: menaxhimi i qëndrueshëm i mbetjeve varet nga ndjenja e pronësisë, bashkëpunimi dhe besimi.

Në çfarë mase mund të transferohet përvoja suedeze në vend?

– Suedia mund të jetë një pikë e mirë reference, por nuk është një model për t’u kopjuar verbërisht. Ajo që mund të transferohet janë parimet: bashkëpunimi ndërkomunal, strukturat e qarta të menaxhimit, qëndrueshmëria financiare dhe përfshirja e fortë e sektorit civil. Suedia tregon si mund të funksionojë një sistem kur këto elemente janë në vend. Përmes projektit, këto mësime po përshtaten me kontekstin maqedonas. Vizitat studimore dhe shkëmbimi i përvojave, përfshirë angazhimin e praktikuesve nga komunat dhe ndërmarrjet publike suedeze që punojnë së bashku me komunat partnere në Maqedoninë e Veriut, janë dëshmuar veçanërisht efektive për t’u treguar liderëve lokalë se si duket një sistem funksional në praktikë. Por, në fund, suksesi varet nga ndjenja e pronësisë mbi procesin. Zgjidhjet duhet t’i përshtaten realitetit politik, financiar dhe shoqëror në vend.

A janë autoritetet lokale dhe ndërmarrjet komunale të gatshme të zbatojnë dhe mirëmbajnë sistemin e ri?

– Ka përparim, por ekziston edhe një nevojë e qartë për mbështetje të mëtejshme. Kapacitetet ndryshojnë ndjeshëm nga një komunë në tjetrën. Disa po përparojnë shpejt, ndërsa të tjera ende përballen me kufizime serioze në aspektin e stafit, financave dhe ekspertizës teknike. Megjithatë, vetëdija dhe angazhimi janë rritur dukshëm. Menaxhimi i mbetjeve po bëhet prioritet për shumë komuna, ndërsa ndërmarrjet publike komunale kanë filluar të modernizojnë punën e tyre. Sfida kryesore tani është qëndrueshmëria – të sigurohet që këto përmirësime të institucionalizohen. Kjo përfshin forcimin e sistemeve financiare përmes vendosjes së një mekanizmi funksional tarifor, përmirësimin e mbledhjes së të dhënave dhe krijimin e Ndërmarrjes Publike Rajonale, e cila do të jetë kyçe për menaxhimin e infrastrukturës së re.

Cilat janë hapat e ardhshëm kryesorë për arritjen e një sistemi plotësisht funksional të harmonizuar me BE-në?

– Veçohen disa prioritete. Së pari, bashkëpunimi ndërkomunal duhet të kalojë nga faza e planifikimit në zbatim të plotë. Strukturat rajonale duhet të bëhen operative dhe efikase. Së dyti, përfshirja e qytetarëve duhet të rritet. Sistemet e menaxhimit të mbetjeve funksionojnë vetëm nëse njerëzit marrin pjesë – duke selektuar mbetjet, duke paguar shërbimet dhe duke mbështetur reformat. Së treti, duhet të zgjidhet çështja e qëndrueshmërisë financiare. Pa tarifa reale dhe sisteme më të mira të arkëtimit, sistemi nuk mund të funksionojë në afat të gjatë. Së katërti, procesi i anëtarësimit në BE duhet të përdoret në mënyrë më strategjike. Kërkesat e legjislacionit të BE-së janë njëkohësisht udhërrëfyes dhe nxitje e fortë për reforma. Në fund, menaxhimi dhe llogaridhënia janë thelbësore. Një sistem i qëndrueshëm varet nga role të qarta, ndjenja e fortë e pronësisë mbi procesin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.

Po aq e rëndësishme në këtë fazë është ruajtja e momentumit. Me bazat kyçe tashmë të vendosura, përdorimi i vazhdueshëm i përvojave dhe mjeteve praktike të zhvilluara përmes projektit të SALAR International mund të ndihmojë në përshpejtimin e zbatimit dhe shmangien e vonesave. Nëse këta elementë bashkohen në një tërësi, Maqedonia e Veriut ka një mundësi reale për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të mbetjeve, i cili jo vetëm që do të jetë në përputhje me standardet e BE-së, por edhe do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e saj.

Foto: Frosina Naskoviq

Остани поврзан