• понеделник, 12 јануари 2026

QMK: Po stabilizohet situata pas reshjeve të dendura në vend

QMK: Po stabilizohet situata pas reshjeve të dendura në vend

Shkup, 11 janar 2026 (MIA)- Në territorin e Shkupit nuk janë regjistruar shqetësime në gjendjen normale. Aktualisht nuk ka reshje shiu ose bore dhe gjendja është stabile, informojnë nga QMK.

Prej atje thonë se gjendja në Tetovë dhe rrethinë është stabile, pa ndërprerje në funksionimin normal. Të gjitha rrugët janë të kalueshme, dhe sipërfaqet rrugore kryesisht të lagura.

NP “Rrugët e Maqedonisë” mirëmban rregullisht rrugën Tetovë – Kodra e Diellit. Në lidhje me rrëshqitjen e dheut në rrugën Gostivar – Mavrovë, pranë gurthyesit, shërbimet kompetente janë njoftuar dhe është paralajmëruar angazhimi i një ekipi për pastrimin dhe normalizimin e trafikut.

Në territorin e Strumicës nuk ka raportime për dëme të shkaktuara. Aktualisht nuk ka reshje aktive dhe nuk ekziston rrezik nga përmbytja e lumenjve. Nuk janë regjistruar rrëshqitje të dheut ose rrugë të paarritshme.

Në territorin e Velesit gjendja është stabile, pa ndërprerje, dhe aktualisht nuk ka reshje shiu ose bore.

“Në territorin e komunave Kumanovë, Likovë dhe Nagoriçan i Vjetër nuk ka përmbytje të lumenjve, dhe nivelet e ujit janë në rënie. Të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe të pastruara. Rruga nga fshati Pelincë deri te pika kufitare Pelincë ishte e ngrirë, por pas ndërhyrjes së NP ‘Rrugët e Maqedonisë’” është pastruar plotësisht”, thonë në QMK.

Në Kriva Pallankë, Kratovë dhe Stracin të gjitha rrugët kryesore janë të kalueshme, me ndërhyrje të vazhdueshme për pastrimin e rrëshqitjeve dhe dëborës në disa segmente lokale.

Në territorin e Shtipit aktualisht nuk ka reshje dhe gjendja është stabile.

Në Ohër, lumi Sushica është vendosur nën kontroll me ndërtimin e një digë mbrojtëse. Megjithatë, në disa lokacione ende ka bodrumë dhe oborre të përmbytura. Në Strugë, në fshatrat Mislleshevë dhe Kalishtë ka oborre të përmbytura, dhe gjendja ndiqet nga shërbimet kompetente.

Në Dibër, lumi Radika ka nivel të shtuar uji, por pa rrezik për përmbytje. Rrugët janë të kalueshme, me rrëshqitje të vogla që pastrohen rregullisht.

Në Kërçovë, nivelet e lumit Zajashka dhe lumit Treska janë ulur dhe nuk ka rrezik nga përmbytjet e reja. Po mbahet një takim i Shtabit Komunal të Krizave për veprimet e mëtejshme.

Në Demir Hisar, për shkak të dëmtimit të një ure mbi lumin Boishka, rruga lokale për fshatin Mrenogë është e mbyllur për qarkullim. Lumenjtë janë kthyer në shtratin e tyre, përveç lumit Cërna në fshatrat Zhvan dhe Edinakovci, ku ende ka përmbytje dhe toka bujqësore të përmbytura.

Në Manastir, gjendja është normalizuar dhe uji po tërhiqet gradualisht nga sipërfaqet e prekura. Niveli i lumit Cërna pranë Novacit është 320 cm. Në Resnjë, tokat bujqësore të përmbytura janë në fazën e tërheqjes së ujit, dhe po kryhen ndërhyrje për pastrimin e shtratit të lumit të Madh.

 

Остани поврзан