Qeveria: Nuk ka kërkesë zyrtare nga LSDM-ja për takim të liderëve, jemi të hapur për çdo propozim dhe iniciativë për ndihmë
- Pas paralajmërimit të liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, se javën e ardhshme në Kuvend do të iniciojë takim të liderëve pas zjarrit në Koçan, sot nga Qeveria thonë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë, aq më pak iniciativë zyrtare nga LSDM-ja, por se Qeveria dhe kryeministri janë të hapur për çdo propozim dhe iniciativë që ka për qëllim të ndihmojë.

Shkup, 28 mars 2025 (MIA) - Pas paralajmërimit të liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, se javën e ardhshme në Kuvend do të iniciojë takim të liderëve pas zjarrit në Koçan, sot nga Qeveria thonë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë, aq më pak iniciativë zyrtare nga LSDM-ja, por se Qeveria dhe kryeministri janë të hapur për çdo propozim dhe iniciativë që ka për qëllim të ndihmojë.
"Nuk ka arritur kërkesë zyrtare deri tek Qeveria, as nuk ka iniciativë nga LSDM-ja. Janë vërejtur vetëm paralajmërime në media. Situata të tilla serioze kërkojnë qasje serioze. Qeveria dhe kryeministri janë të hapur për çdo propozim dhe iniciativë, e cila ka për qëllim të ndihmojë", thonë nga Qeveria për MIA-n.
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, i cili mbrëmë ishte mysafir në Mbrëmjen e donatorëve për të ndihmuar familjet e viktimave dhe të lënduarve nga zjarri në Koçan, e organizuar nga TV Kanal 5, paralajmëroi se javën e ardhshme në Kuvend do t'u bëjë thirrje liderëtve të partive më të mëdha politike në takim për të prezantuar planin e tij - që e konsideron si obligim për ta bërë për shtetin, sepse, tha, "është e qartë se mënyrat konvencionale të udhëheqjes së politikës, të luftës politike, nuk japin rezultate mjaftë të shpejta".
"Nuk mjaftojnë vetëm fjalët se kemi nevojë për unitet, se kemi nevojë për një lloj bashkimi. Atë duhet ta shndërrojmë në veprime reale dhe hapa realë, sepse kjo është më së paku që mund të bëjmë për 60 familjet, 59 të cilët mbetën pa fëmijë, të tjerët që kanë qindra fëmijë në mjekim dhe, natyrisht, të gjithë shoqërinë, e cila shohim tani që kërkon disa ndryshime. Të rinjtë dalin në rrugë dhe kërkojnë ndryshime, ndërsa të rinjtë janë një kategori qytetarësh që nuk u intereson as e shkuara, as e tashmja, por u intereson e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë me kujdes si politikanë se çfarë duhet të bëjmë", tha Filipçe. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s