• петок, 20 февруари 2026

Përmbytje dhe rrëshqitje toke në Rajonin e Pollogut, situata në Kërçovë është normalizuar, nuk ka rrezik nga daljet e lumenjve në rajonin e Kumanovës

Përmbytje dhe rrëshqitje toke në Rajonin e Pollogut, situata në Kërçovë është normalizuar, nuk ka rrezik nga daljet e lumenjve në rajonin e Kumanovës

Shkup, 16 shkurt 2026 (MIA) - Qendra për Menaxhimin e Krizave informon se deri në orën 13:30 të sotme, reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme në disa rajone të vendit. Rajoni i Pollogut, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit janë më të prekur, me përmbytje, rrëshqitje toke dhe dëmtime në infrastrukturë. Sipas QMK-së, një numër i madh ndërhyrjesh janë regjistruar në pjesën veriperëndimore të vendit, dhe në vendbanime të caktuara është kryer evakuimi i banorëve.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në rajonin veriperëndimor, zonat që mbulohen nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza Tetovë dhe Gostivar kanë shënuar një numër të shtuar intervenimesh për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Në Tetovë është raportuar shembja e një muri mbajtës mbi një shtëpi familjare në rrugën 146. Në terren kanë dalë Shtabi i Krizës i Komunës së Tetovës, ekipet policore nga SP Tetovë dhe shërbimet inspektuese komunale. Është evidentuar rrëshqitje dheu në rrugën drejt Kodrës së Diellit, rreth 150 metra nga teleferiku, ku rrëshqitja paraqet rrezik për objektet përreth. Një rrëshqitje e madhe është regjistruar në rrugën 195, në drejtimin nga fshati Xhepçishtë drejt fshatit Xhermë, dhe rruga është e pakalueshme për të gjithë lagjen. Rrëshqitje është raportuar edhe në rrugën Prohor Pçinski.

Në fshatin Vejcë është paraqitur rrëshqitje mbi një shtëpi e cila ka pasur dëmtime të mëparshme nga tërmeti.

Në Komunën e Zhelinës, lumi Vardar ka dalë nga shtrati në fshatin Strimnicë, ku janë përmbytur pesë shtëpi. Për shkak të konfiguracionit të terrenit, ndërhyrja është e vështirësuar.

Në Komunën e Tearcës janë raportuar bodrume të përmbytura në fshatin Tearcë dhe janë njoftuar institucionet kompetente. Në Komunën e Jegunovcës është përmbytur rruga lokale nga fshati Sërçinë drejt fshatit Jegunovcë. Komuna ka dërguar mekanizëm dhe pritet normalizimi i komunikacionit. Në Gostivar gjendja është stabilizuar pas ndërprerjes së reshjeve. Lumenjtë në fshatrat Llakavicë, Bellovishtë, Turçan i Vogël dhe Balindoll janë kthyer në shtratin e tyre. Në fshatin Forinë, pas daljes së lumit Vardar nga shtrati, uji është tërhequr nga rrugët. Janë përmbytur rreth 200 shtëpi dhe po vazhdon pompimi i ujit me angazhimin e shërbimeve dhe banorëve lokalë.

Në territorin e Kumanovës, si dhe në Komunën e Likovës dhe Komunën e Nagoriçanit të Vjetër, aktualisht nuk ka rrezik nga dalja e lumenjve nga shtrati. Niveli i ujit është ulur dhe lumenjtë janë kthyer në shtratin e tyre.

Nga reshjet e djeshme, në fshatin Opajë, Komuna e Likovës, është përmbytur tokë bujqësore pas daljes nga shtrati të Lumit të Sllupçanit. Një pjesë e sipërfaqeve bujqësore janë përmbytur edhe në fshatin Orizare.

Në fshatin Dobroshan, pranë urës drejt fshatit Shuplli Kamen, ka pasur grumbullim mbeturinash dhe dalje lokale të ujit në tokë bujqësore, ndërsa aktualisht nuk ka rrezik. Në lagjen Bedinje është marrë një urë druri nga uji i rrëmbyeshëm dhe janë njoftuar shërbimet kompetente.

Në Kërçovë reshjet kanë pushuar dhe niveli i lumenjve është ulur.

"Gjendja në spitalin e qytetit është normalizuar. Janë evakuuar 250 persona, përkatësisht 62 familje, të cilëve po u sigurohen ushqim, ujë dhe mjete të domosdoshme. Ekipet e NP Komunalec dhe Njësia Territoriale e Zjarrfikësve po kryejnë pompimin e ujit nga bodrumet në rrugët Prilepska, Pirinska, Nje Maj dhe 29 Nëntori, si dhe në shtëpitë përgjatë lumenjve Treska dhe Zajashka. Janë përmbytur edhe sipërfaqe bujqësore përgjatë shtretërve të lumenjve në komunë", njoftojnë nga QMK.

Në Shkup është raportuar ujë i rritur pranë urës në Jurumleri, në kufirin ndërmjet komunave Aerodrom dhe Gazi Babë, si dhe dalje minimale e lumit Vardar nga shtrati pranë fshatit Pakoshevë – Novo Sellë, në Komunën e Zelenikovës.

Deri tani, siç plotësojnë nga QMK nuk ka raportime të tjera. sa/

Foto: QMK

Остани поврзан