Punonjësit shëndetësor do të mund të vaksinohen falas kundër hepatit B
- Punonjësit shëndetësor dhe studentët e mjekësisë dhe stomatologjisë do të mund të regjistrohen dhe të vaksinohen falas me vaksinën kundër hepatit B, të cilat Ministria e Shëndetësisë ia dhuroi Institutit të Shëndetit Publik. Të dy institucionet sot nënshkruan marrëveshje për dhurimin e 7.500 vaksinave, me të cilat do të mbulohen 2.500 punonjës shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë dhuroi edhe kuti për transport ajror dhe detar të materialeve biologjike.
Kumanovë, 12 janar 2026 (MIA) - Punonjësit shëndetësor dhe studentët e mjekësisë dhe stomatologjisë do të mund të regjistrohen dhe të vaksinohen falas me vaksinën kundër hepatit B, të cilat Ministria e Shëndetësisë ia dhuroi Institutit të Shëndetit Publik. Të dy institucionet sot nënshkruan marrëveshje për dhurimin e 7.500 vaksinave, me të cilat do të mbulohen 2.500 punonjës shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë dhuroi edhe kuti për transport ajror dhe detar të materialeve biologjike.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp tha se bëhet fjalë për mbrojtje sistemike me masa specifike të marra për të mbrojtur punonjësit shëndetësor dhe opinionin.
"Në këtë kontekst, sot po nënshkruajmë marrëveshje për dhurimin e vaksinave nga Ministria e Shëndetësisë për Institutin e Shëndetit Publik për 7.500 vaksina kundër hepatitit B, në vlerë të përgjithshme prej 123.450 dollarësh amerikanë. Me këtë donacion prej tre dozash për person do të mbulohen 2.500 punonjës shëndetësor. Bëhet fjalë për një masë konkrete parandaluese për zvogëlimin e ekspozimit ndaj rreziqeve shëndetësore të të punësuarve në sistemin shëndetësor, duke forcuar njëkohësisht edhe sigurinë e pacientëve", tha Aliu.
Procesi do të jetë i thjeshtë, është përgatitur një modul elektronik përmes të cilit punonjësit shëndetësor do të regjistrohen në ueb-faqen e Ministrisë dhe Institutit për dhjetë ditët e ardhshme. Vaksinimi do të kryhet në Institutin e Shëndetit Publik dhe në qendrat e shëndetit publik në vend. Ministria dhuron gjithashtu kuti për transportin e materialeve biologjike me vlerë 2.000 dollarë.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, tha se vaksinat janë të destinuara edhe për punonjësit shëndetësor edhe për studentët e mjekësisë dhe stomatologjisë. Lidhur me transportin e materialit biologjik, Andonovska theksoi se rreziqet zvogëlohen gjatë transportit të materialeve biologjikisht infektive, të cilat dërgohen për testim, trajtim ose ruajtje.
Ajo theksoi se vaksinimi për punonjësit shëndetësor dhe studentët është thelbësor, duke treguar rrezikun e sëmundjes së mëlçisë të shkaktuar nga virusi, i cili transmetohet përmes kontaktit me gjakun e infektuar dhe lëngjet e tjera të trupit, përfshirë edhe përmes lëndimeve me objekte të mprehta mjekësore. Andonovska paraqiti gjithashtu të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas të cilave, në të gjithë botën, pothuajse 254 milionë njerëz jetojnë me infeksion kronik të hepatitit B, kurse afërsisht 1.1 milionë vdekje regjistrohen çdo vit.
"Për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm profesional ndaj gjakut dhe lëngjeve trupore, punonjësit shëndetësor përfaqësojnë një kategori me rrezik të shtuar nga infeksionet e virusit të hepatitit B. Në vend vaksina është e detyrueshme, por është futur në fuqi në vitin 2004. Ka breza që nuk janë të përfshirë me këtë imunizim të detyrueshëm, por ekziston edhe një kategori, veçanërisht punonjësit shëndetësor, studentët, të cilët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve çdo ditë", tha Andonovska.
Ajo theksoi se disa nga punonjësit shëndetësor që nuk ishin të mbuluar me vaksinimin e detyrueshëm duhej ta paguanin vetë vaksinën me një çmim prej 6,000 denarë, ndërsa tani kanë mundësinë ta marrin falas dhe të mbrojnë veten.
Sipas të dhënave të fundit nga viti 2024, mbulimi i personave të vaksinuar është 91,3 përqind, por, siç u përgjigj në pyetjet e gazetarëve, më i ulut është mbulimi i personave të vaksinuar të lindur para futjes së vaksinimit të detyrueshëm. ls/
Foto: MIA