• среда, 01 април 2026

PTHP NKOK do t'i hetojë veprimet e 39 nëpunësve të policisë në rastet e dhunës së raportuar në familje kundër Stojançe Jovanovskit për të cilat ishin konstatuar lëshime

PTHP NKOK do t'i hetojë veprimet e 39 nëpunësve të policisë në rastet e dhunës së raportuar në familje kundër Stojançe Jovanovskit për të cilat ishin konstatuar lëshime

Shkup, 31 mars 2026 (MIA) – Departamenti i Specializuar për Ndjekje të Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime të Policisë në kuadër të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) do t’i hetojë veprimet e 39 nëpunësve të policisë në rastet e dhunës së raportuar në familje të kryer nga Stojançe Jovanovski ndaj bashkëshortes së tij Ivana dhe vajzës së mitur Katja. 

Njoftimi i MPB-së për nëpunësit e policisë në lidhje me rastin e Stojançe Jovanovskit, siç informojnë nga Prokuroria, tashmë është dorëzuar në PTHP NKOK dhe do ta ndërmarrë prokuror nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të kryera nga persona me autorizime të policisë, i cili do të konfirmojë nëse ekziston bazë për përgjegjësi penale te personat zyrtarë.  

“Njoftimi për të cilin shfaqni interesim është dorëzuar në PTHP NKOK gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti do t’i jepet për veprim prokurorit publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime të Policisë dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgut”, informojnë nga PTHP NKOK. 

Nga MPB për MIA-n sqarojnë se Departamenti për Kontroll të Brendshëm ka konstatuar lëshime në veprimet e 39 nëpunësve të policisë. 

“Lidhur me rastin për të cilin po pyesni, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në kuadër të MPB-së ka identifikuar mangësi në veprimet e 39 nëpunësve të policisë që vepruan sipas raportimeve për dhunë në familje. Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale i ka paraqitur njoftim Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për çdo informacion shtesë, ju lutemi të kontaktoni prokurorinë kompetente” thonë nga MPB.

Gjykimi kundër Stojançe Jovanovskit filloi dje në Gjykatën Themelore Penale Shkup, ndërsa gjykata nuk e pranoi pranimin e tij të pjesshme të fajit dhe vendosi që procedura të vazhdojë me nxjerrjen e dëshmive. 

Edhe pse Jovanovski në fillim të seancës gjyqësore e pranoi fajin për dy nga gjithsej tri veprat penale për të cilat akuzohet, ai para gjykatës theksoi se ishte i detyruar nga një dëshmitar në procedurë, pas çka gjykata konstatoi se deklarata nuk është dhënë vullnetarisht. 

“Ndihem fajtor për dy veprat e para penale, por nuk ndihem fajtor për veprën e tretë penale. Ndihem fajtor dhe pranoj veprat penale si në vijim: ‘Lëndim trupor’ sipas nenit 130, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, si dhe veprën penale të rrezikimit të sigurisë sipas nenit 144, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. I kam kryer ato në kohën, mënyrën dhe vendin e përshkruar në aktakuzë. Megjithatë, nuk ndihem fajtor për veprën penale të ‘Shtytjes në vetëvrasje dhe ndihmës në vetëvrasje’”, deklaroi fillimisht i dyshuari para gjykatës.

 Nëna e të ndjerës, Ivana Jovanovska, para Gjykatës Themelore Penale Shkup, dje deklaroi se vajza e saj me vite kishte jetuar në frikë nga bashkëshorti Stojançe Jaovanovski, me mavijosje të dukshme, nën kontroll të vazhdueshëm dhe me mendimin e vazhdueshëm se do t’i merrej vajza. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан