PS-ja e hodhi poshtë kërkesën e SPAK-ut për marrjen e imunitetit të deputetes Balluku, reagoi SPAK-u, Berisha paralajmëroi protestë
- - Partia Socialiste e Shqipërisë në pushtet ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes për ish-zëvendëskryeministren dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj.
Tiranë, 9 mars 2026 (MIA) - Partia Socialiste e Shqipërisë në pushtet ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes për ish-zëvendëskryeministren dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj.
Vendimi u publikua pasditen e sotme, pas një mbledhjeje të grupit parlamentar të PS-së, ku kryetari i komisionit parlamentar legjislativ, Ulsi Manja, tha se pas shkarkimit të Ballukut nga detyra, tani ekziston një realitet i ri dhe SPAK mund të vazhdojë hetimet edhe pa masën e arrestit.
Kryeministri Edi Rama, i cili është lider i socialistëve, në takim ka thënë se kundër Ballukut nuk ka akuzë për korrupsion, duke njoftuar se ajo do të vazhdojë ta udhëheqë partinë për rajonin e Fierit, edhe pse e kishte lëshuar funksionin zëvendëskryeministre.
“Nuk do të votojmë për burgosjen e deputetëve pa argumente të fuqishme. Këtu prokurori kërkon, ndërsa gjykatësi vrapon. Në emrin tonë, jo. Me votën tonë, jo”, porositi Rama.

Balluku është e dyshuar në hetimin që lidhet me procedurat e tenderit për Tunelin e Llogarasë dhe pjesë të projektit të Qarkores së madhe të Tiranës. Ajo u përfshi në riorganizimin e qeverisë, por mbetet deputete, sepse në Shqipëri, edhe nëse zgjidhesh në qeveri, mbetesh gjithashtu deputet.
Pas publikimit të vendimit të PS-së reagoi shkurt SPAK-u duke u deklaruar “kundër çdo nisme e cila e kufizon shtrirjen për hetim edhe të qytetarëve të thjeshtë edhe të funksionarëve të lartë”.
Reagoi edhe lideri i Partisë Demokratike opozitare, Sali Berisha, sipas të cilit vendimi i sotëm është sulm i qartë jo vetëm ndaj drejtësisë, por edhe ndaj qytetarëve shqiptarë.
Shtoi se Rama i ka mbyllur dyert për integrimin në BE dhe paralajmëroi protestë para parlamentit në datën 12 të këtij muaji, kur në shtëpinë ligjvënëse duhet të votohet për kërkesën e SPAK-ut për Ballukun. fc/
Foto: Partia Socialiste