Pse jetojnë pesë vjet më gjatë: Gratë "ventilohen" me shoqet e tyre, burrat i përgjigjen stresit me cigare dhe alkool
- Edhe pse çdo rast është individual dhe çdo rajon ka veçoritë e veta, jetëgjatësia në Evropë dhe në Maqedoni tregon një tendencë të qartë: gratë jetojnë më gjatë se burrat. Sipas Eurostat-it, në vendet e BE-së jetëgjatësia mesatare e burrave është 76.6 vjet, ndërsa e grave 81.5 vjet. Në vendin tonë, edhe pse jetojmë mesatarisht rreth pesë vjet më pak, raporti mes burrave dhe grave mbetet i ngjashëm. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës për vitin 2024 tregojnë se dallimi mes dy gjinive është pesë vjet në favor të grave – gratë në Maqedoni jetojnë mesatarisht 76.8 vjet, ndërsa burrat 71.9 vjet.
Shkup, 29 mars 2026 (MIA)
Edhe pse çdo rast është individual dhe çdo rajon ka veçoritë e veta, jetëgjatësia në Evropë dhe në Maqedoni tregon një tendencë të qartë: gratë jetojnë më gjatë se burrat. Sipas Eurostat-it, në vendet e BE-së jetëgjatësia mesatare e burrave është 76.6 vjet, ndërsa e grave 81.5 vjet. Në vendin tonë, edhe pse jetojmë mesatarisht rreth pesë vjet më pak, raporti mes burrave dhe grave mbetet i ngjashëm. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës për vitin 2024 tregojnë se dallimi mes dy gjinive është pesë vjet në favor të grave – gratë në Maqedoni jetojnë mesatarisht 76.8 vjet, ndërsa burrat 71.9 vjet.
Në çfarë janë gratë më të mira se burrat, e me këtë edhe më jetëgjata, ose ndoshta burrat diku dështojnë?
Me përparimin e mjekësisë në shekullin XXI, faktorët gjenetikë dhe shëndetësorë duket se zbehen në shpjegimin se pse gratë jetojnë më gjatë se burrat. Këto faktorë janë ende kyç, kështu për shembull, burrat janë më të prirur ndaj sëmundjeve kardiovaskulare, që janë shkaku kryesor i vdekshmërisë. Megjithatë, në plan të parë dalin dy faktorë të tjerë: psikologjia dhe sociologjia.
Gratë lidhen më shumë mes vete, ndërsa burrat janë më të vetmuar
Sipas doktorit të shkencave psikologjike Fiki Gaspar, të dy gjinitë përballen njësoj me problemet psikologjike, por mënyra se si i zgjidhin bën dallimin. Sipas tij, ka tre gjëra ku gratë janë më të mira se burrat dhe për këtë arsye janë më jetëgjata.
Arsyeja e parë dhe kryesore është se gratë bisedojnë më lehtë dhe i ofrojnë vetes ndihmë përmes bisedës, duke çliruar stresin, e pa stres ka më pak sëmundje.
- Gratë, ndryshe nga burrat, komunikojnë më shumë dhe ndajnë më shumë përjetimet. Kjo tek ne është edhe dukuri kulturore. Deri vonë, edhe pse kjo po ndryshon tek gjeneratat më të reja, djemve u thuhej se burrat nuk flasin shumë, janë të tërhequr, nuk ankohen dhe nuk qajnë, ndërsa për gratë kjo ishte më e pranueshme dhe të mos them e pritshme.
Këtu, në lojë hyn modeli klasik “fight or flight” – për dallim nga burrat, gratë përballen më mirë me stresin, gjgj. janë më të mira në kërkimin e mbështetjes sociale dhe shkëmbimin e ndërsjellë të emocioneve – thotë Gaspar.

Sipas tij, gratë gjithashtu mbajnë relacione më të afërta. Burrat kanë miq të ngushtë, por në numër shumë më të vogël.
Fatkeqësisht, hulumtimet tregojnë se kur një burrë humb një mik, ai nuk krijon aq shpejt miqësi të reja dhe mbetet pa rreth shoqëror, duke u izoluar. Gratë janë më të prira për vetëndihmë përmes komunikimit, një lloj “ventilimi” emocional, duke i ofruar mbështetje njëra-tjetrës. Edhe burrat e bëjnë këtë, por statistikisht shumë më pak. Kur përballesh më lehtë me stresin, efektet e tij nuk janë aq të rënda dhe të gjata, ndërsa stresi është një nga shkaqet më të shpeshta të sëmundjeve fizike dhe mendore.
Arsyeja e dytë është se burrat reagojnë ndryshe ndaj presionit, duke u kthyer drejt veseve dhe duke “ngjitur” sëmundje.
Ekziston edhe një moment i dytë, e cila gjë në këto hapësira lidhet me kulturën, që tregon se si burrat ballafaqohen me stresin kur janë nën presion. Burrat shpesh i shtypin emocionet, tregojnë impulsivitet dhe nivele më të larta agresioni. Në situata të tilla, ata shpesh drejtohen drejt duhanit, alkoolit apo bixhozit. Statistikat tregojnë se burrat vuajnë më shpesh nga varësitë. Gratë, përkundrazi, i njohin më mirë emocionet e tyre dhe dinë kufijtë e tyre – thotë Gaspar.
Arsyeja e tretë është se gratë kujdesen më shumë për shëndetin e tyre, i kushtojnë më shumë rëndësi vetes dhe shkojnë më shpesh në kontrolle parandaluese. Burrat, nga ana tjetër, e neglizhojnë më shumë shëndetin dhe janë më pak të gatshëm të shkojnë te mjeku, madje edhe kur kanë simptome të sëmundjeve.
Nga aspekti sociologjik, gratë në disa raste janë më të mbrojtura nga shoqëria. Për shembull, ato më rrallë dërgohen në luftë ose marrin role më pak të rrezikshme, ndërsa burrat shpesh kanë punë më të rrezikshme. Profesoresha e sociologjisë Anica Dragoviq thotë se arsyet janë të shumta dhe të ndërlidhura, duke përfshirë faktorë biologjikë, rezistencën e organizmit, zgjedhjet individuale dhe mjedisin shoqëror.
Nga pikëpamja shëndetësore, sipas saj, burrat janë më të dobët. Ata më shpesh preken nga sëmundje fatale si sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe disa lloje kanceri, ndërsa gratë janë më të prira ndaj sëmundjeve kronike që rrallë janë menjëherë fatale, duke u mundësuar të jetojnë më gjatë. Stili i jetesës, kujdesi për shëndetin dhe faktorët socialë ndikojnë që gratë të jetojnë më gjatë, edhe pse shpesh me më shumë probleme shëndetësore.

Sigurisht, mënyra e jetesës dhe rolet shoqërore luajnë rol të madh.
Burrat më shpesh pinë duhan, konsumojnë alkool dhe janë të ekspozuar ndaj rreziqeve në punë, ndërsa kujdesen më pak për shëndetin. Gratë, përkundrazi, kujdesen më shumë për veten, vizitojnë rregullisht mjekun dhe kanë stil më të shëndetshëm jetese. Arsimi dhe statusi martesor gjithashtu ndikojnë ndjeshëm në stilin e jetës.
Sipas saj, politikat shtetërore dhe qasja në shërbime cilësore shëndetësore luajnë rol të rëndësishëm në jetëgjatësi.
Me plakjen, vdekshmëria rritet si tek burrat ashtu edhe tek gratë, por qasja në përkujdesje shëndetësore cilësore mund ta zvogëlojë këtë dallim. Shërbimet gerontologjike dhe paliative janë të rëndësishme për të siguruar një plakje dinjitoze dhe
të shëndetshme. Kuptimi i këtyre faktorëve ndihmon në krijimin e politikave dhe programeve që përmirësojnë shëndetin dhe jetëgjatësinë për të gjithë, pa dallim gjinie.

Sigurisht, e gjithë kjo ka edhe një anë komike. Mjafton të shikoni memet në rrjetet sociale për temën pse burrat jetojnë më pak se gratë, dhe do të gjeni qindra fotografi humoristike që tregojnë “kreativitetin” e burrave, si për shembull të krijojnë hije me një ekskavator 30-tonësh mbi kokë, ose të rregullojnë një klimë në katin e dhjetë sikur graviteti nuk ekziston… pa harruar se temperatura 37,3 për burrat shpesh konsiderohet si “shtrat vdekjeje”."
Foto: Arkivi i MIA-s