• четврток, 25 декември 2025

Protestë e një pjese të personelit të Spitalit klinik Tetovë të cilët mbetën pa punësim të përhershëm

Protestë e një pjese të personelit të Spitalit klinik Tetovë të cilët mbetën pa punësim të përhershëm

Tetovë, 22 dhjetor 2025 (MIA) - Para ndërtesës administrative të Spitalit klinik Tetovë sot protestuan një pjesë e njerëzve të cilët me vite kanë punuar në institucion me kontratë në vepër, ndërkaq nuk kanë marrë vendim për punësim të përhershëm. Ata akuzojnë se në vendin e tyre është pranuar kuadër i jashtëm.

Gjatë majit dhe qershorit, 155 persona - mjekë, infermiere, teknikë, administratë dhe personel tjetër përmes protestave publikisht e shprehën pakënaqësinë dhe kërkuan punësim të përhershëm duke pasur parasysh se pas disa viteve punojnë si honorarë. Më 24 korrik ishte shpallur konkurs për punësim të 119 kuadrove për personel mjekësor, zbatimi i të cilit u realizua pas zgjedhjeve lokale.

"Edhe përkundër premtimit të ministrit Aliu, drejtori Elezi dhe kryetari i komunës Kasami për vendet tona të punës, ne sot qëndrojmë këtu duke e kërkuar drejtësinë dhe vendet tona të premtuara. Do të shkojmë deri në fund edhe me çmimin që të anulohet ky konkurs. Të gjithë ne jemi me përvojë shumëvjeçare, nuk kemi ardhur sot siç janë të punësuarit e pranuar nga jashtë. Në asnjë rast nuk i kemi keqpërdorur vendet tona të punës. Kemi punuar pa rrogë, punojmë pa sigurim shëndetësor dhe pensional, pa pudhime dhe pa të drejtën e pushimit mjekësor dhe ditëve të lira. Nuk është e drejtë të pranoni kuadër të jashtëm pa përvojë kur tashmë e keni atë kuadër të trajnuar dhe me përvojë", tha Ivona Nedellkovska, e cila ka punuar gjashtë vite në vendin e punës teknik farmaceutik në barnatoren e insulinës.

Përfaqësues të honirarëve së bashku me gazetarët ishin tek drejtori Erzen Elezi për të marrë përgjigje përse nuk është përmbushur premtimi për punësimin e tyre të përhershëm.

Në deklaratë për mediumet, drejtori Elezi shfaqi bindje se në konkursin e shpallur publik për punësim të personelit mjekësor, janë marrë parasysh nevojat e spitalit, ndërkaq ka pasur disa kandidatë që janë me kontratë në vepër.

"Shembull për obstetrikën është paraparë vetëm një vend i punës, ndërsa nën kontratë janë dhjetë. Është pranuar një person që ishte me kontratë në vepër tashmë 10 vite. Të gjithë nuk mund t'i pranojmë. 80 për qind janë pranuar nga ata që janë me kontratë në vepër. Nuk janë pranuar ata që sipas profileve nevojiten  për spitalin nuk janë cekur në konkurs", theksoi Elezi.

Ai tha se nuk ka marrë mendim pozitiv nga ministritë e Shëndetësisë dhe të Administratës Publike për punësime, përkatësisht vendime për 133 persona të personelit mjekësor gjatë vitit 2026, kur sipas tij mund të punësohen personat e tjerë të cilët nuk kanë marrë punësim të përhershëm. ab/

Foto: МIА 

Остани поврзан