• четврток, 12 февруари 2026

Presidentja Siljanovska Davkova e priti Rita Kolumbian, koordinatore rezidente e Kombeve të Bashkuara

Presidentja Siljanovska Davkova e priti Rita Kolumbian, koordinatore rezidente e Kombeve të Bashkuara

Shkup, 12 shkurt 2026 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e priti Rita Kolumbian, koordinatore rezidente e Kombeve të Bashkuara në vend, me të cilën diskutuan për planet e OKB-së lidhur me zbatimin e projekteve të ardhshme me fokus në prioritetet strategjike të përfshira në Kornizën për bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm 2026-2030.

"Presidentja e theksoi rëndësinë e programeve të Kombeve të Bashkuara të zbatuara deri më tani në funksion të ndërtimit të kapaciteteve institucionale, promovimit të sundimit të ligjit dhe përcaktimit të politikave publike cilësore. Sipas Presidentes, ato janë të ndërlidhura me përpjekjet për evropianizimin e shoqërisë së RMV-së dhe përmbushjen e qëllimit strategjik - integrimin në Bashkimin Evropian", informoi kabineti i presidentes. 

Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje mbi nismën UN80, e cila synon të inkurajojë reformën dhe modernizimin e organizatës për një efikasitet dhe rëndësi më të madhe në përballjen me sfidat globale. Ata analizuan rëndësinë e saj për rishqyrtimin e rolit të Kombeve të Bashkuara dhe përballjen me sfidat e sigurisë, klimës, ekonomisë dhe teknologjisë.

"Presidentja theksoi nevojën urgjente për reforma të thella të OKB-së me qëllim sigurimin e një sistemi efikas, të koordinuar dhe që i përgjigjet nevojave reale të shteteve dhe qytetarëve. Ajo edhe një herë konfirmoi angazhimin e saj për një Sekretare të Përgjithshme femër. Siljanovska-Davkova gjithashtu uroi që kufizimet e planifikuara buxhetore, të përshtatshme për racionalizimin e filluar të punës së OKB-së, të mos ndikojnë negativisht në zbatimin e programeve të tyre në vendin tonë", thuhet në kumtesën. ls/ 

Foto: Kabineti i presidentes

 

 

 

Остани поврзан