Pothuajse dy herë më pak foshnje në vitin 2024 sesa gjashtë dekada më parë, shkalla e fertilitetit në BE 1.34, në Maqedoni 1.44
- Në Bashkimin Evropian, gjatë vitit 2024 kanë lindur 3,55 milionë foshnje, që shënon një ulje prej 3,3 për qind krahasuar me vitin 2023, ndërsa shkalla totale e fertilitetit për vitin 2024 është 1,34 fëmijë të lindur gjallë për grua në BE, një rënie krahasuar me 1,38 në vitin 2023. Në Maqedoni, shkalla e fertilitetit gjatë dhjetë viteve të fundit gjithashtu ka rënë, duke lëvizur nga 1,52 gjatë periudhës 2004–2014, në 1,49 në vitin 2023 dhe 1,44 fëmijë të lindur gjallë për grua në vitin 2024.
Shkup, 12 mars 2026 (MIA) - Në Bashkimin Evropian, gjatë vitit 2024 kanë lindur 3,55 milionë foshnje, që shënon një ulje prej 3,3 për qind krahasuar me vitin 2023, ndërsa shkalla totale e fertilitetit për vitin 2024 është 1,34 fëmijë të lindur gjallë për grua në BE, një rënie krahasuar me 1,38 në vitin 2023. Në Maqedoni, shkalla e fertilitetit gjatë dhjetë viteve të fundit gjithashtu ka rënë, duke lëvizur nga 1,52 gjatë periudhës 2004–2014, në 1,49 në vitin 2023 dhe 1,44 fëmijë të lindur gjallë për grua në vitin 2024.
Një shkallë e tillë e fertilitetit është dukshëm nën nivelin prej 2,1 fëmijë të lindur gjallë për grua, i nevojshëm për ripërtëritjen natyrore të popullsisë, çka bën që Evropa, po ashtu edhe vendi ynë, të përballen me sfida serioze demografike.
Të dhënat e Eurostatit për fertilitetin tregojnë se në nivel të BE-së, shkalla më e ulët e fertilitetit në vitin 2024 është në Maltë – 1,01, ndërsa më e larta është në Bullgari – 1,72.

Mosha mesatare e grave në Bashkimin Evropian kur lindin fëmijën e tyre të parë në vitin 2024 është 29,9 vjeç, duke lëvizur nga 26,9 vjeç në Bullgari deri në 31,9 vjeç në Itali. Në Maqedoni, gratë në mesatare lindin fëmijën e tyre të parë në moshën 27,8 vjeç.

Gratë gjatë dy dekadave të fundit, mesatarisht po lindin fëmijën e tyre të parë më vonë. Në vitin 2014, mesatarja ishte 26,6 vjeç, ndërsa 25 vjeç ishte në vitin 2004.
Në vitin 2024, Bullgari shënoi shkallën më të lartë të fertilitetit në BE me 1,72 fëmijë të lindur gjallë për grua, pasuar nga Franca me 1,61 dhe Sllovenia me 1,52. Në kontrast, Malta kishte shkallën më të ulët të fertilitetit me 1,01 fëmijë për grua, së bashku me Spanjën me 1,10 dhe Lituaninë me 1,11.
Të dhënat e Eurostatit tregojnë se në Bashkimin Evropian në vitin 2024 janë lindur gati dy herë më pak fëmijë se para gjashtë dekadash.

Në vitin 2024, në BE kanë lindur 3,55 milionë fëmijë, që korrespondon me një normë të papërpunuar të lindshmërisë (numri i lindjeve për 1,000 banorë) prej 7,9. Për krahasim, norma e lindshmërisë në BE ka qenë 10,5 në vitin 2000, 12,8 në vitin 1985 dhe 16,4 në vitin 1970.
Në Maqedoni, numri i fëmijëve të lindur gjallë është në rënie të vazhdueshme që nga viti 1960, kur u lindën 44,095 fëmijë, 37,862 në vitin 1970, 35,401 në vitin 1990, në 29,308 në vitin 2000, 24,296 në vitin 2010 dhe 19,031 në vitin 2020, në një nivel rekord të ulët prej 16,061 në vitin 2024. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s/Eurostat