• сабота, 21 февруари 2026

Pjesëmarrësit në protestën e opozitës në Tiranë shkaktuan kaos, lëndohen policë dhe gazetarë

Pjesëmarrësit në protestën e opozitës në Tiranë shkaktuan kaos, lëndohen policë dhe gazetarë

Tiranë, 10 shkurt 2026 (MIA) – Pjesëmarrësit në protestën e sotme të opozitës shqiptare shkaktuan kaos, së pari para Qeverisë, ku po mbahej ajo, ndërsa pastaj edhe para Parlamentit. 

Pas paraqitjes së liderit demokratik, Sali Berisha, filluan me sjellje të dhunshme, duke bërë përpjekje ta thyejnë kordonin e policisë, dëmtuan një pjesë të rrethojës metalike, hodhën koktej molotovë, mjete piroteknike, drejt objektit të Qeverisë. 

Shumë më e tensionuar ishte situata para Parlamentit. Nga mjetet e djegura të hedhura drejt Parlamentit ka të lënduar dhjetëra policë, punonjës mediatikë dhe disa pjesëmarrës në protestë. 

Policia vazhdimisht ju bënte thirrje pjesëmarrësve të ndalen dhe të largohen, prandaj u desh të përdorë topa uji dhe gaz lotsjellës. 

Në paraqitjen e tij Berisha i tha akuzat tashmë të njohura për kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur “Ramaduro, vjedhësin më të madh të popullit shqiptar”. 

“Jemi mbledhur në momentin më kritik për Shqipërinë në 30 vitet e fundit. E gjithë bota e di se zgjedhjet e 11 majit ishin manipulim, prandaj duhet të fitojmë betejën për zgjedhje të lira dhe largimin nga pushteti të kërcënimit më të madh, diktaturës së Ramaduros, identike me atë të Stalinit dhe Enver Hoxhës. Shqipëria nuk është pronë private, por trashëgimi. Tani është koha t'u themi mjaft atyre që vodhën miliarda euro, për t'i dhënë fund dëbimit të të rinjve. Gjatë sundimit të tij, ai dëboi mbi një milion të rinj nga vendi. Kjo është arsyeja pse lufta vazhdon deri në betejën e fundit”, tha Berisha.

Ai foli edhe për kërkesën e prokurorisë në Hagë e cila kërkoi nga 45 vite burg për liderët e UÇK-së, duke vlerësuar se “ata janë të pafajshëm dhe se atje duhet të shkojnë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe shërbëtori i tij Edi Rama”. 

Sekretari i përgjithshëm i PD-së dhe koordinator i grupit parlamentar, Flamur Noka porositi se do të vazhdojnë me protesta, deri në largimin e qeverisë aktuale dhe zbatimin e zgjedhjeve të lira. fc/

Foto: Printskrin video e PD-së

 

 

 

Остани поврзан