• понеделник, 29 декември 2025

Petrova: Janë dërguar rreth 10.000 ftesa për qytetarët që duhet të deklarojnë të ardhurat e realizuara jashtë vendit

Petrova: Janë dërguar rreth 10.000 ftesa për qytetarët që duhet të deklarojnë të ardhurat e realizuara jashtë vendit

Shkup, 26 dhjetor 2025 (MIA) - Të gjithë rezidentët fiskalë në vendin e tyre duhet të deklarojnë dhe të tatimojnë të gjithë të ardhurat e tyre të fituara në vendet e tjera, tha sot drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), Elena Petrova.

Sipas saj, aspak nuk bëhet fjalë për tatim retroaktiv, as për mbulimin e gjendjeve si mungesë të parave në buxhet, por për sigurimin e një tatimi të drejtë dhe të barabartë.

"Nuk bëhet fjalë as për ndonjë dispozitë të re ligjore të cilën duam ta zbatojmë në mënyrë retroaktive, por për një dispozitë ligjore që ka ekzistuar gjithmonë, që nga miratimi i Ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale dhe që më herët ka qenë e rregulluar edhe me Ligjin për tatimin personal mbi të ardhurat. Rezidentët tanë tatimorë,  të Maqedonisë, këtu duhet të deklarojnë dhe të tatimojnë të gjithë të ardhurat e tyre të realizuara në vend dhe jashtë vendit", theksoi Petrova.

Bëhet fjalë, shtoi ajo, për një parim universal që zbatohet në çdo juridiksion tatimor.

Siç informoi Petrova, deri më tani DAP-i ka dërguar rreth 10.000 ftesa për qytetarët që duhet të deklarojnë të ardhurat e realizuara jashtë vendit dhe, sipas këtyre ftesave, rreth 1.200 persona kanë dorëzuar vullnetarisht llogaritjet, ndërsa rreth 1.300 janë ngarkuar me vendime tatimore. qa/

Foto: printskrin

 

 

Остани поврзан