Pecakov: Ngjarjet si "Ohrid Water Festival" sjellin cilësi në turizmin e Ohrit
- Ngjarjet si "Ohrid Water Festival", Festivali i verës, Dita e Liqenit, Festivali i xhazit në Ohër dhe "Ohri vrapon" rrisin cilësinë e turistëve, theksoi në konferencën e sotme për media kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov.
Ohër, 11 gusht 2026 (MIA) - Ngjarjet si "Ohrid Water Festival", Festivali i verës, Dita e Liqenit, Festivali i xhazit në Ohër dhe "Ohri vrapon" rrisin cilësinë e turistëve, theksoi në konferencën e sotme për media kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov.
Duke paralajmëruar edicionin e katërt të "Ohrid Water Festival", ai theksoi se manifestime të tilla nuk e rrisin aq shumë numrin e turistëve, sa ndikojnë në rritjen e cilësisë së tyre, jo vetëm të atyre që marrin pjesë në ngjarje, por edhe të atyre që vijnë për t’i ndjekur ato.
"Këto janë manifestime që ne, si pushtet lokal, kemi filluar t’i organizojmë. Tashmë rriten nga viti në vit, si për nga numri ashtu edhe për nga pjesëmarrja dhe përveç sasisë, e cila ndoshta nuk është aq e rëndësishme në numrin e përgjithshëm të turistëve që vijnë, megjithatë fitojmë në cilësi, përkatësisht turistë që përveç Ohrit e duan edhe Liqenin e Ohrit dhe bukuritë natyrore që ne si qytet kemi për t’u ofruar. Kështu, e gjithë trashëgimia jonë kulturore dhe historike, si dhe bukuritë natyrore që posedojmë, vijnë në pah tek të gjithë turistët që duan të shijojnë. Dhe prandaj, jam i bindur dhe i sigurt se pikërisht ngjarje të tilla si Festivali i sporteve ujore dhe të tjerat kontribuojnë në këtë", tha Pecakov.
Sa i përket sezonit turistik veror, ai theksoi se, bazuar në atë që shihet deri tani, e vlerëson si të mirë, por shifrat do të bëhen publike në fund të shtatorit.
"Është evidente se këtë vit ka një prani më të madhe të turistëve që rrallë kanë ardhur në qytet. Kur u zhvillua ndeshja Norvegji-Brazil si pjesë e Kampionatit Botëror, ne kishim rreth 50 të rinj me fanella të Norvegjisë, diçka që nuk e kishim përjetuar më parë. Lidhja që kemi me Aeroportin e Ohrit, linjat e reja që po hapen dhe qasja e lehtë në Ohër për të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë, këtë vit tashmë është e dukshme edhe në kapacitetet turistike, në plazhe dhe kudo ku ka turist", theksoi Pecakov. qa/
Foto: MIA