• вторник, 14 април 2026

Pas më shumë se 50 vitesh, nis rikonstruimi i thellë i një prej rrugëve më të rëndësishme në Çarshi

Pas më shumë se 50 vitesh, nis rikonstruimi i thellë i një prej rrugëve më të rëndësishme në Çarshi

Shkup, 14 prill 2026 (MIA)- Komuna e Çairit sot me fillim nga ora 11:30, do të shënojë fillimin e rikonstruimit të rrugës së “Samarxhinjve”, si dhe të pesë degëzimeve dhe rrugëve përreth në Çarshinë e Vjetër, një projekt që synon rikthimin e shkëlqimit të një prej hapësirave urbane më autentike në Shkup.

Në këtë ngjarje pritet të ketë paraqitje edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti i cili do të prezantojë aspektet kryesore të projektit dhe rëndësinë e këtij investimi për komunitetin lokal dhe trashëgiminë kulturore.

Rruga e “Samarxhinjve”, dikur qendër e jetës zejtare në Çarshi, pas më shumë se gjysmë shekulli pa ndërhyrje serioze, do t’i nënshtrohet një rikonstruimi të plotë në një sipërfaqe prej 1.567 m².

Projekti parashikon restaurimin e kalldrëmit me gur travertin, duke ruajtur autenticitetin historik të hapësirës dhe duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë. Paralelisht, do të realizohet edhe modernizimi i plotë i infrastrukturës nëntokësore, që përfshin vendosjen e fibrave optike, rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe rrjet të ri elektrik – ndërhyrje që nuk është realizuar prej dekadash.

Në kuadër të projektit do të vendoset edhe ndriçim i ri rrugor me kandela në stil tradicional, si dhe pajisje urbane, ulëse dhe shporta për mbeturina, duke e bërë hapësirën më funksionale dhe më tërheqëse për qytetarët dhe turistët.

Me një investim prej 28,7 milionë denarësh, ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes, gjallërimit dhe rregullimit modern të Çarshisë së Vjetër.

Остани поврзан