• петок, 20 февруари 2026

Parlamenti Evropian miratoi hua prej 90 miliardë euro për Ukrainën

Parlamenti Evropian miratoi hua prej 90 miliardë euro për Ukrainën

Strasburg, 11 shkurt 2026 (MIA) – Parlamenti Evropian sot miratoi pakon e masave financiare për Ukrainën, duke përfshirë hua nga Bashkimi Evropian prej 90 miliardë euro për vitin 2026 dhe 2027, ndryshime në mekanizmin e BE-së për Ukrainën dhe amendament të kornizës shumëvjeçare financiare për vitin 2021-2027, kështu që rezerva buxhetore e BE-së mund të shfrytëzohet si garanci për huanë dhe për mbulimin e shpenzimeve për shlyerjen e borxhit. 

Huaja për Ukrainën u miratua me 458 vota ”për”, 140 “kundër” dhe 44të përmbajtur. Ndryshimet në mekanizmin për Ukrainën u miratuan me 473 vota”për”, 140 “kundër” dhe 32të përmbajtur. Ndryshimi në kornizën financiare shumëvjeçar eu miratua me 490 vota ”për”, 130 “kundër” dhe 32të përmbajtur. Pakoja është pjesë e zbatimit të bashkëpunimit të zgjeruar midis 25 shteteve anëtare dhe synon të ofrojë mbështetje financiare të parashikueshme, të vazhdueshme dhe fleksibile për Kievin përballë agresionit të vazhdueshëm rus dhe nevojave në rritje për financimin e rindërtimit dhe mbrojtjes. Rregullorja e miratuar sot parashikon krijimin e një "Kredie për të Mbështetur Ukrainën" për vitet 2026-2027, e financuar nga huamarrja nga Komisioni Evropian në tregjet e kapitalit.

Huaja do të ketë rekurs të kufizuar dhe do të jetë e pagueshme pas përmbushjes së kushteve të caktuara, duke përfshirë marrjen nga Ukraina të dëmshpërblimeve nga Rusia ose shkeljet e vërtetuara që lidhen me mashtrimin ose korrupsionin. Mjetet do të kanalizohen në disa linja - të tilla si mbështetja buxhetore në formën e ndihmës makro-financiare, si dhe mbështetja për kapacitetin e industrisë mbrojtëse të Ukrainës. Si pjesë e ndihmës makro-financiare, Komisioni do të negociojë me autoritetet ukrainase një Memorandum Mirëkuptimi që përmban kushte specifike për reformën, duke përfshirë forcimin e mobilizimit të të ardhurave, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe masat kundër korrupsionit.

Mbështetja për mbrojtje parasheh investime urgjente dhe të mëdha publike për modernizim të bazës teknologjike dhe industriale të mbrojtjes të Ukrainës, si dhe integrim më i afërt me industrinë evropiane të mbrojtjes. Regullorja i përcakton kërkesat e hollësishme për përfitim për prodhuesit dhe nënkontraktorët, duke përfshirë kushte për themelim në BE, Zonën Ekonomike Evropiane ose Ukrainë, kufizime për pjesëmarrje të vendeve të treta dhe rregulla për mbrojtje të informacioneve të ndjeshme dhe të klasifikuara. 

Ukraina do të duhet të hapë llogari të veçantë për të menaxhuar mjetet që lidhen me mbështetjen e mbrojtjes dhe të paraqesë raporte mujore mbi pagesat e bëra. Komisioni Evropian do të ketë të drejtë monitorimi dhe kontrolli, ndërsa Parlamenti Evropian dhe Këshilli do të informohen rregullisht për progresin e zbatimit. Kredia do të financohet përmes një strategjie të diversifikuar huamarrjeje, me kostot e shërbimit të borxhit që potencialisht do të përballohen nga buxheti i BE-së përmes një instrumenti të dedikuar mbi kufijtë e kornizës financiare shumëvjeçare. Propozimi parashikon gjithashtu mundësinë që Unioni të përdorë mjetet e bllokuara ruse në BE për të shlyer kredinë, në përputhje të plotë me ligjin e BE-së dhe atë ndërkombëtar. fc/

Foto: EPA

 

Остани поврзан