• недела, 19 април 2026

Parisi sot është nikoqir i konferencës për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit, pa pjesëmarrjen e SHBA-së

Parisi sot është nikoqir i konferencës për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit, pa pjesëmarrjen e SHBA-së

Paris, 17 prill 2026 (MIA) - Rreth 30 vende do të mblidhen sot në një konferencë në Paris me iniciativë të presidentit francez, Emanuel Makron për të shqyrtuar krijimin e një misioni ndërkombëtar për sigurimin e lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja nuk do të marrë pjesë në këtë iniciativë. 

Në takimin në Pallatin e Eliseut, i cili, siç është paralajmëruar, do të fillojë në orën 14:00, Makron do të jetë nikoqir i kryeministrit britanik Kir Starmer, kancelarit gjerman Fridrih Merc dhe kryeministres italiane Xhorxha Meloni, ndërsa disa pjesëmarrës nga Evropa, Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika Latine do të bashkohen përmes videokonferencës, raportoi "Parisien".

Misioni i propozuar, sipas palës franceze, do të ishte "rreptësisht mbrojtës" dhe do të kishte për qëllim të garantojë lirinë e lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, të sigurojë mbrojtje për kompanitë detare dhe të mbështesë operacionet e mundshme për pastrimin e minave.

Vendet pjesëmarrëse mund të kontribuojnë me anije, aeroplanë dhe kapacitete për mbikqyrje. 

Franca e paraqiti idenë për një mision ndërkombëtar më 9 mars, por zbatimi i saj varet nga stabilizimi i armëpushimit aktual, të cilin Parisi e cilëson si "joformal", mes Iranit, SHBA-së dhe aleatëve të saj. 

Parisi gjithashtu vendosi kushte shtesë, përfshirë që Irani të mos shënjestrojë anijet tregtare, SHBA-ja të mos bllokojë trafikun detar dhe të mos vendosen mina në ngushticë apo të vendosen tarifa për kalimin e anijeve.

Franca dhe Mbretëria e Bashkuar vendosën ta nisin iniciativën pa pjesëmarrje të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni, duke synuar të ruajnë një pozicion neutral dhe, siç njoftoi Pallati i Eliseut, të gjejnë një "rrugë të tretë" mes presionit amerikan ndaj Iranit dhe një ripërtëritje e mundshme e armiqësive.

Pas takimit në Paris, javën e ardhshme është planifikuar një samit tjetër në Nortvud, pranë Londrës, ku ndodhet shtabi ushtarak britanik, ndërsa hapat e mëtejshëm do të varen nga zhvillimi i armëpushimit dhe vazhdimi i mundshëm i negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit. qa/

Foto: Arkivi i EPA-s

Остани поврзан