• петок, 05 јуни 2026

Panel diskutim në Kuvend: Kultura si bazë e demokracisë dhe unitetit

Panel diskutim në Kuvend: Kultura si bazë e demokracisë dhe unitetit

Shkup, 28 maj 2026 (MIA) - Në Kuvend, sot, u mbajt panel-diskutimi me temë “Roli i institucioneve demokratike në dialogun kulturor: Nga përfaqësimi te kohezioni” – sesioni 2, në suazat e Forumit të Katërt për Diplomaci Kulturore.

Fjalim hyrës në këtë ngjarje mbajtën kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe ish-presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov.

Në panel-diskutim fjalën e morën: Jovan Subotiq, deputet në Kuvendin e Malit të Zi; Andreja Rihter, ish-ministre e Kulturës së Sllovenisë dhe drejtoreshë e Forumit të Kulturave Sllave; Davor Filipoviq, ish-ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kroacisë; Katalin Anamaria Bogjaj, presidente e Komisionit Kombëtar të UNESCO-s të Hungarisë dhe presidente e Konferencës së 36-të të Përgjithshme të UNESCO-s; Hedva Ser, ambasadore e vullnetit të mirë e UNESCO-s për diplomaci kulturore; Stanko Bllagojeviq, ushtrues detyre ndihmësministër për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrim Evropian të Republikës së Serbisë në fushën e kulturës; Velika Stojkovska-Serafimovska, deputete dhe anëtare e Komisionit për Kulturë dhe Turizëm; si dhe Bejxhan Iljas, deputet dhe anëtar i Komisionit për Kulturë dhe Turizëm.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në fjalimin e tij i përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se shteti ynë ka shtatë qendra kulturore nëpër botë, duke nënvizuar se kultura nuk njeh kufij. Ai theksoi se Eurovisioni dhe shkëmbimet studentore paraqesin shembull të qartë të kulturës së përbashkët ndërkombëtare dhe lidhjes midis popujve.

Ivanov falënderoi për organizimin e ngjarjes dhe theksoi se bashkëpunimi i shtëpisë ligjvënëse me të gjithë partnerët dhe miqtë relevantë vendas dhe ndërkombëtarë të shtetit është me rëndësi të jashtëzakonshme.

Jovan Subotiq foli për përvojat e Malit të Zi në proceset demokratike, duke theksuar se kultura është një nga resurset më të rëndësishme që shteti mund t’ia ofrojë Bashkimit Evropian. Ai theksoi se në Malin e Zi kultura vlerësohet shumë, sidomos duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një shoqëri multietnike që punon së bashku drejt të njëjtit qëllim.

Rihter theksoi se kultura nuk është vetëm një nocion, por themeli i demokracisë në çdo shtet. Duke iu referuar përvojës së Sllovenisë, ajo vuri në dukje se kalimi nga centralizimi në decentralizim, si dhe autonomia më e madhe e artistëve dhe sektorit civil, kanë kontribuar në rrugëtimin e suksesshëm evropian të shtetit.

Filipoviq theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Miqësisë ndërmjet kryeministrit maqedonas dhe atij kroat në Ohër përfaqëson një mesazh të fuqishëm për mbështetjen që Kroacia ia jep Maqedonisë së Veriut në procesin e eurointegrimeve. Ai u ndal edhe te sfidat që sjell inteligjenca artificiale, duke theksuar se sipas hulumtimeve të fundit në Kroaci, rreth 1.500 vende pune mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale. Megjithatë, siç theksoi ai, ajo që teknologjia nuk mund ta zëvendësojë është dialogu kulturor dhe kohezioni shoqëror.

Bogjaj theksoi se në kushte polarizimi, kultura paraqet një burim kyç për tejkalimin e ndarjeve shoqërore. Sipas saj, kultura është e pranishme në çdo pore të shoqërisë dhe përbën pjesë të pandashme të çdo procesi shoqëror.

Ser theksoi se shteti ynë është shembull i ndërtimit të urave nëpërmjet dallimeve kulturore. Ajo nënvizoi se kultura duhet të zërë një vend të rëndësishëm në dialogun ndërkombëtar, duke shtuar se respektimi i çdo kulture kontribuon për një botë më të drejtë dhe më humane.

Bllagojeviq foli mbi konceptin e “fuqisë së butë” dhe “fuqisë së fortë”. Sipas tij, fuqia e butë bazohet në respektin ndaj personit dhe veprës, ndërsa fuqia e fortë buron nga ndjenja e presionit. Ai theksoi se sovraniteti i takon popullit dhe se paraqitja e rëndësisë së kulturës është përgjegjësi e përbashkët.

Stojkova-Serafimovska theksoi se kultura është thellësisht e rrënjosur te çdo njeri nëpërmjet traditës, e cila përbën themelin e identitetit kulturor. Ajo nënvizoi se jetojmë në një shtet të pasur me dallime kulturore dhe se në vitet e fundit është dëshmuar një nivel i lartë respekti si ndaj kulturës dhe zakoneve tona, ashtu edhe ndaj atyre të të tjerëve.

Iljas theksoi se në shtet jetojnë popuj të ndryshëm me një të ardhme të përbashkët, ndërsa roli i shtetit është të kujdeset për kulturën dhe trashëgiminë kulturore. Ai nënvizoi se pikërisht kultura ka rol kyç në përballimin me sfidat e globalizimit.

Në fund të ngjarjes, Kryetari Gashi i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezantimet dhe mendimet e tyre, duke theksuar se Kuvendi edhe në të ardhmen do të vazhdojë të mbështesë iniciativa dhe ngjarje të tilla. mb/

Foto: Kuvend

Остани поврзан